Starova hedh “bombën”, jep dorëheqjen nga stoli i Partizanit

Prej muajit tetor drejtoi sërish të kuqtë, u lodh shumë, i shkoi shumë pranë titullit kampion, por nuk ia doli. Fundi ishte një stres i tmerrshëm, si në aspektin psikologjik, ashtu edhe në atë fizik.

Presidenti Gaz Demi ka besim të plotë tek ai dhe e ka thënë shpesh: “Starova ikën kur të dojë Starova. Është krahu im i djathtë, është këshilltari im, ndërsa postin e trajnerit e mori në moment kritik, kur iku trajneri paraardhës”.

Edhe Luçiano Moxhi ishte dakord që aventurën evropiane ta ndërmerrte “Bobi”, por Starova thotë “MJAFT!”.

Sot trajneri i të kuqve ka dhënë dorëheqjen, nuk ka ndërmend të vazhdojë më si trajner. Nuk ia vlen barra qeranë, pasi fundja nuk është më 25 vjeç, që t’i zgjidhë gjërat duke djersitur në fushë e duke vrapuar çdo ditë.

Tani Starova nuk “vrapon” dot më, ky sezon e lodhi së tepërmi. Dje Gaz Demi i konfirmoi stolin, Starova u mendua 24 orë dhe tha “jo”.

Nuk mundet më, më mirë këshilltar, ndjekës i skuadrës nga afër, por nga jashtë. Duhet dikush më i qetë, më energjik e më gjakftohtë për të menaxhuar skuadrën, që është e fortë, por titullin nuk e fitoi dhe Starovës do t’i mbetet peng përjetë. E meritonte një titull Partizani, e thonë edhe rivalët, por për 1000 arsye nuk ia doli mbanë. Nuk mbetet pa faj edhe Starova, edhe pse gjithnjë e thekson që titullin ia hoqi federata. Tani le ta fitojë titullin dikush tjetër, kush të ketë fuqi mendore e fizike. Nuk do ta ketë të lehtë, sepse një si Starova nuk zëvendësohet kollaj…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *