Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, duke folur pas ndeshjes së humbur në Bullgari, e shpjegon me një fjali të çuditshme eliminimin: “Botevi na shënoi me gjuajtjen e parë në portë. Në përgjithësi, në të dyja ndeshjet, Botevi ishte skuadra dominuese. Arsyeja është se ata e mbajtën skuadrën e sezonit të fundit, ndërsa ne humbëm shumë lojtarë kyçë”.
Deklaratë që ndoshta është thënë pa ndonjë prapamendim, por ndoshta nxjerr zbuluar edhe klubin, ose ndonjë drejtues, si Luçiano Moxhi. Partizani kishte ekip për titull, humbi gjysmën e formacionit, afroi vetëm Kotobellin e Prognin, afrime që nuk i bëri Moxhi. Premtimet e italianit nuk po duken, ndoshta situata te Partizani ka precipituar me kohë dhe nesër e tutje do të shohim zhvillime interesante.
Gjithsesi, Starova nuk lëviz nga “istikami”, kur e pyesin për të ardhmen: “Jam trajneri prej dy vitesh, jam edhe krahu i djathtë i presidentit, këshilltari i tij. Do të mbaroj karrierën në këtë klub, me presidentin vendosim për gjithçka”.