Partizani ka nisur sot përgatitjet për sezonin e ri, pse më saktë për ndeshjet në Europa League, që nisin shumë herët dhe duan një përgatitje ndryshe nga kampionati, që nis pas dy muajsh.
Trajneri Sulejman Starova ka nisur punën me ekipin, ku mungojnë disa emra të rëndësishëm, ndërsa është afruar mbrojtësi Kotobelli nga Teuta.
Për Starovën, ekipi do të jetë gati shumë shpejt: “Përgatitemi për Kupat e Europës, por merkatoja është e hapur, presim edhe lojtarë të tjerë për ta plotësuar skuadrën. Nga data 23, apo edhe më parë, do të prezantojmë edhe ekipin e plotë për Kupën dhe në vazhdim”.
Duke qëndruar te merkatoja, Starova nuk jep ndonjë indicie dhe i lë gjithçka në dorë Luçiano Moxhit: “Nuk kemi asnjë pistë konkrete, na duhen lojtarë në çdo repart. Këtë vit do të funksionojë ndryshe, lojtarët do t’i sjellë drejtori i përgjithshëm që është Moxhi. Unë do të kem detyrën që të stërvit skuadrën dhe të plotësoj objektivat me lojtarët që do të vijnë”.
Ekuban i kthyer te Kievo, Torasa e Cetkoviç, ende e paqartë e ardhmja e tyre: “Vazhdojnë tratativat me 2-3 që përmendët, Torasa pritet që të vijë të marrë pjesë në Kupat e Europës. Në fund kontrate me një fjalë, i është propozuar, të shohim. Me Ekuban vazhdojnë bisedimet me Kievon, nuk varet nga ne, edhe pse lojtari dëshiron të kthehet. Cetkoviçin e presim se edhe ai është në skadencë kontrate për të biseduar me drejtuesit e klubit.
Ka pasur zëra për oferta ndaj lojtarëve të Partizanit, por Starova nuk konfirmon asgjëS: “’Ne ku ta gjejmë që të kemi oferta. Sa ka filluar merkatoja, mund të ndodhë çdo gjë, jemi të përgatitur për këtë punë”.
Sezoni duket sikur nuk ka mbaruar: “Lojtarët të paktën kanë pushuar pak. Shpresojmë të na bjerë ndonjë skuadër e përshtatshme, e mundshme për të kaluar, këto janë dy objektivat kryesore, përgatitja edhe për kampionat dhe Europë. Kemi preferuar ta nisim fazën përgatitore këtu, se do të vijnë edhe lojtarë të huaj në provë. Nëse në një kohë rekord mundet të plotësojmë skuadrën, duke parë edhe kushtet nëse do të arrijmë të realizojmë programin që kemi”.