Gentian Mezani ka pak javë në krye të Gjilanit në IPKO Superliga e Kosovës dhe gjërat për vlonjatin nuk është se po shkojnë mirë. Objektivi, sikurse është thënë edhe më parë, mbetet qëndrimi në elitën e futbollit dardan dhe në fakt ky mision kërkon impenjim pasi zona e ftohtë është shumë pranë.
Situata në renditje ka sjellë edhe aludime të shumta në Kosovë në lidhje me të ardhmen e vetë Mezanit. Gjithsesi klubi e ka të qartë se duhet të vazhdojnë t’i besojnë ish-trajnerit të Laçit dhe Luftëtarit. Sigurisht duhet arritur objektivi fillimisht dhe më pas të ndërtohet ekipi për sezonin e ardhshëm.
REAGIMI I GJILANIT – “SC Gjilani informon publikun se pas shkrimeve të fundit që po qarkullojnë nëpër medie dhe gazetat tona, kinse në fundin e sezonit trajneri i ardhur javë më parë, Gentian Mezani, do të largohet nga klubi dhe t’ia lërë postin e kryetrajnerit dikujt tjetër. SC Gjilani ju njofton se këto informata janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Kryetrajneri i klubit, Gentian Mezani, e ka besimin dhe mbështetjen e plotë të klubit.
Kjo nënkupton se spekulimet e bëra nëpër mediumet tona janë për emra të përveçëm dhe për interesa të personave të caktuar, ndaj me anë të kësaj komunikate duam t’i hedhim poshtë informatat e publikuara sot nga disa medie”, reagon klubit gjilanas.