Golden State Warriors ka regjistruar fitoren e tetë. Kampionët në fuqi thyen 131-121 New Orleans Pelicans dhe vijojnë të kryesojnë Konferencën e Perëndimit. Një ndeshje që nisi mirë për Warriors, pasi në tre periodat e para shënuan 15 pikë më shumë se kundërshtari.
Pelicans në periodën e fundit, edhe pse shënuan më shumë, nuk mund të përmbysnin dot. Stephen Curry si zakonisht dha kontributin e tij për Warriors, teksa realizoi 37 pikë. Durant realizoi 24, ndërkohë që edhe Klay Thompson vijon të bëjë mirë. Këtë herë realizoi 18 pikë.
Emocionues takimi Chicago Bulls-Denver Nuggets. Vetëm një pikë diferencë në fund, ndërkohë që u desh shtesa për të përcaktuar fituesin. Rezultati përfundimtar? 107-108. Paul Millsep ishte ai që vendosi fituesin, pasi shënoi koshin e fitores kur kish mbetur edhe 0.1 sekondë nga përfundimi.
Nuggets realizuan katër pikë më shumë në periodën e parë, ndërkohë që gradualisht Chicago Bulls e zvogëloi epërsinë dhe katër periodat e kohës së rregullt u mbyllën me rezultatin 98-98. Në “Over time” miqtë shënuan një pikë më shumë dhe fituan.
Los Angeles Lakers janë rikthyer te fitorja. LeBron James ishte udhëheqësi i skuadrës së tij në fitoren 114-113 ndaj Dallas Mavericks. “Mbreti” ishte më i miri në parket me 29 pikë të shënuara, ndërkohë që ndeshja pati disa tablo. Lakers e nisën më mirë, teksa periodën e parë e mbyllën 38-21.
Teksanët reaguan dhe e ngushtuan rezultatin në mbyllje të gjysmës së ndeshjes. Lakers ishin në epërsinë e 7 pikë dhe e rritën në 13 pas mbylljes së periodës së tretë. Dallas Mavericks nuk u dorëzuan dhe e vunë në rrezik fitoren e Lakers, por në fund një pikë bëri diferencën.
San Antonio Spurs ka kaluar lehtësisht Phonix Suns me 30 pikë diferencë. Një ndeshje ku të gjithë basketbollistët e miqve shënuan pikë, me DeMar DeRozan që regjistroi 25 pikë të shënuara. Një më pak shënoi shoku i tij i skuadrës LaMarcus Aldridge.
Indiana Pacers ka fituar ndaj New York Knicks. Rezultati përfundimtar ishte 101-107 dhe miqtë treguan forcën e tyre në periodën e fundit, kur shënuan 10 pikë më shumë. Domantas Sabonis shënoi 30 pikë për Pacers, duke zhvlerësuar 37 pikët e realizuara nga Tim Hardaway Jr.
Skenën e ka marrë Derrick Rose në fitoren 128-125 që Minnesota Timberwolves mori ndaj Utah Jazz. Plot 50 pikë të realizuara nga basketbollisti i vendasve, që regjistroi edhe numrin më të lartë të pikëve të shënuara në një ndeshje përgjatë gjithë karrierës së tij.
Ndërkohë që paraqitje mbresëlënëse ka bërë edhe Karl-Anthony Towns (28 pikë, 4 asiste, 16 rikuperime). Një ndeshje disi e ekuilibruar, me Timberwolves që ishte më mirë në dy periodat e para, ndërkohë më pas Jazz u mundua të përmbyste rezultatin. Gjithsesi nuk ia arriti dot qëllimit.
New York Knicks-Indiana Pacers 101-107
Minnesota Timberwolves-Utah Jazz 128-125
Phoenix Suns-San Antonio Spurs 90-120
Chicago Bulls-Denver Nuggets 107-108
Los Angeles Lakers-Dallas Mavericks 114-113
Golden State Warriors-New Orleans Pelicans 131-121