Interi do të luajë nesër në mbrëmje kundër Udinezes në një ndeshje deçizive për kualifikimin në Champions. Luçiano Spaleti vlerëson shumë kundërshtarin, që po lufton për të qëndruar në kategori.
Gara për kualifikimin në Ligën e Kampioneve është shumë e fortë. 6 ekipe po garojnë për 2 vende dhe emocionet sa vijnë e shtohen. Trajneri i Interit analizon rivalitetin e madh, ndalet te Mauro Ikardi dhe e mbyll me të ardhmen e ekipit që drejton.
UDINEZE – “Ata luftojnë për mbijetesë, ndërsa ne për Champions. Është si të luajmë një ndeshje direkte për nga niveli i vështirësisë. Na pret një përballje shumë e vështirë, por duhet ta fitojmë.”
CHAMPIONS – “Ka 6 ekipe që luftojnë për dy vende. Deri te Lacio janë të gjithë në garë. I kam frikë të gjithë ekipet njësoj, sepse po luftojnë fort për këtë objektiv. Atalanta nuk është më surprizë. Renditen lart prej vitesh dhe janë të aftë në rinovimin e ekipit. Edhe Torino i është bashkëngjitur kësaj gare. Roma ka qenë gjithmonë e fortë dhe ka shpenzuar gjithmonë për lojtarë të mëdhenj.”
IKARDI – “Nuk i kam problem fotot e fundit. Rëndësi ka që këtu vjen i veshur si Interi. Kjo më intereson. Mauro është stërvitur mirë këtë javë. Pavarësisht se nuk po gjen golin, ai është i rëndësishëm për skuadrën. Ka një cilësi shumë të mirë, ka ekuilibër. Unë nuk kam asnjë problem me të. E ardhmja ime quhet Udineze-Inter dhe jo Ikardi.”
INTERI – “Synimi ynë është i qartë. Duam të luajmë gjithmonë në gjysmëfushën kundërshtare. Dje po shihja gjysmëfinalen mes Ajntrahtit dhe Çelsit dhe po mendoja se ne jemi e vetmja skuadër që nuk kemi pësuar gol në fushën e gjermanëve. Pse nuk iu jepen meritat që u takojnë mbrojtësve? Pse flitet gjithmonë për mungesë sulmuesish? Për t’u përmirësuar duhet dërguar më shumë presion drejt zonës kundërshtare. Ky është qëllimi jonë për sezonin e ardhshëm.”