Spaleti: Një pjesë e dominuam, pastaj…

Një pikë për secilën palë, një barazim 1-1 që ndoshta i kënaq të gjithë, por natyrisht më shumë Juventusin, që në San Siro luante për krenari, më shumë se për renditjen.

Ndërkaq, Interi afrohet edhe më shumë me kualifikimin në Champions dhe trajneri Luçiano Spaleti pas ndeshjes ishte i kënaqur.

“Në pjesën e parë skuadra dominoi totalisht, arritëm të krijonim shumë raste për shënim, por në fund vlen goli dhe nuk është e lehtë. Duhej të mbanim të njëjtën cilësi në qarkullimin e topit edhe në pjesën e dytë, por nuk ia dolëm mbanë. Kjo bëri që Juve të përfitonte dhe na ndëshkoi sapo gjeti pak hapësirë”.

Spaleti ka edhe kritika për të tijtë: “Jemi në një periudhë ku skuadra është e vetëdijshme për cilësitë e saj, por ka momente kur e ul nivelin dhe ndihet lodhja. Nuk tregohemi të zotë në mbylljen e hapësirave, edhe kur jemi të vendosur mirë pas”.

E ardhmja? “Unë do qëndroja tek Interi edhe për 100 vite të tjera, e kam parë tifozerinë, emocionin e të hyrit në San Siro. Megjithatë, Interi bën mirë të zgjedhë më të mirën për vete, nuk ka rëndësi nëse vijoj unë apo jo. Duhen marrë vendime për të mbrojtur Interin“.

Juve dominues: “E ka merituar titullin me aq shumë pikë avantazh, ndoshta ne duhej të bënim diçka më shumë. Patëm një periudhë krize ku e humbëm kontaktin me futbollin dhe aty lëshuam shumë mirë. Mund të bënim më shumë“.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *