Kroati Versaljko është një ndër preferencat e Interit për përforcimin e krahut të djathtë të mbrojtjes. Spaleti e dëshiron një afrim të tillë, madje sa më shpejt. Në fillim të javës së ardhshme klubi duhet të ketë mbyllur gjithçka me mbrojtësin kroat. Në klub e dinë, por ka një pengesë.
Kartonin e Versaljkos e zotëron Atletiko e Madridit dhe spanjollët janë të qartë. Refuzohet huazimi i 26-vjeçarit kroat me të drejtë blerje në fund te sezonit. Nëse Interi e dëshiron, duhet të paguajë dhe të gjithë shumën direkt. Zikaltërit kanë akord me futbollistin, por Atletiko nuk lëviz nga pretendimet e saj. Diçka e tillë ka shtyrë drejtuesit e Interit të shohin për alternativa të tjera.
Emri më i ri që qarkullon, është ai i Davide Zapakostës. Italiani që aktivizohet me Çelsin preferohet nga zikaltërit dhe ata janë gati për të nisur sulmin për të. Që këtë të shtunë madje. Interi përballet me Çelsin në miqësore dhe Piero Auzilio do diskutojë me homologët e tij anglezë për afrimin e Zapakostës.
Mateo Darmian është një tjetër emër që preferohet, por për të arritur tek anësori i Mançesterit është edhe më e vështirë. Drejtuesit po punojnë për Zapakostën dhe palët do bisedojnë ditën e shtunë në Nicë, aty ku Interi dhe Çelsi do ndeshen mes tyre.