Santiago Solari do të debutojë nesër në Champions League me “tutat” e trajnerit. Argjentinasi doli para gazetarëve në daljen për shtyp në prag të takimit ndaj vendasve të Romës. Tekniku i “Los Blancos” e konsideroi humbjen ndaj Eibar si një gjë të së shkuarës dhe se skuadra e tij është gati për të bërë kthesën në ndeshjen e nesërme.
“Ramos dhe Dopingu? Ramos është një njeri i sinqertë. Ai është një simbol jo vetëm për Realin, por edhe për të gjithë futbollin spanjoll. Mendoj se ju gazetarët e keni detyrë për ta mbrojtur atë, duke e kërkuar të vërtetën deri në fund”.
“Humbja ndaj Eibar? Ishte një humbje e rëndë, por tani mbetet diçka e së shkuarës. E kemi analizuar dhe diskutuar me skuadrën atë takim. Duhet të tregojmë se dimë të reagojmë pas kësaj humbje. I gjithë përqendrimi i ekipit duhet të jetë për takimin e nesërm. Te Reali çdo ndeshje është makth, por ky klub e merr veten pas çdo disfate. Prandaj jemi klubi më i suksesshëm në planet”.
“Deklaratat e Ramos për mungesë impenjimi të lojtarëve? Ju kërkoj ndjesë, por nuk kam pse t’i përgjigjem të gjitha pyetjeve tuaja. Për këto çështje është më mirë të diskutohet midis meje dhe lojtarëve. Nuk është nevoja t’i bëjmë publike”, përfundoi trajneri i klubit spanjoll.