Skuadra e Tiranës mund të quhet zhgënjim për dy fazat e para të këtij sezoni, por ish-mesfushori i saj Sokol Bulku e quan një situatë të vështirë që ndodh në çdo skuadër të madhe. Për SportEkspres.com, Bulku deklaroi se Tirana duhet të ndërhyjë në merkaton e janarit, kryesisht në repartin e mbrojtjes, që në dy fazat e tjera të përmirësohet për tu ngjitur në renditje në një nga vendet që luan në Europë.
Sokol Bulku është pjesë e futbollit bardheblu, dhe vetëm 17 vjeç ka qenë kur veshi fanelën e Tiranës, duke qëndruar 9 sezone resht e duke fituar 7 tituj kampion. Në karrierën e tij ai ka luajtur edhe me “Armikun” e Tiranës, Partizanin, madje në tre sezone, duke e mbyllur karrierën në një moshe të re, vetëm 30 vjeç. Sot ai është pjesë e trajningut në ekipet e moshave pranë Akademisë së Futbollit që drejtohet nga Alban Bushi.
INTERVISTOI: AGRON KAJA
Në 17 javë kampionat, si e përshkruani situatën e Tiranës?
-Është një situatë në dukje e vështirë, e cila ndodh në çdo skuadër të madhe sikundër është edhe Tirana në futbollin shqiptar. Unë nuk e mendoj situatë negative dhe pas zgjidhje, madje do të thoja se në gjysmën e dytë të këtij sezoni do të shohim një Tiranë më ndryshe.
Në pritshmëritë tuaja, mendohej që Tirana të renditej në vendet e fundit në tabelë që diskutojnë mbijetesën në Superiore?
-Në këndvështrimin tim, Tirana jo vetëm që nuk mendohej të ishte në këtë renditje, por pritej të ishte një nga kryesueset e Superiores në këto 17 javë. E tillë është ndërtuar, por gjatë kësaj periudhe ka një problem, sepse përshtatja e lojtarëve në skuadër është e dobët.
Veç kësaj dukurie, ju çfarë mendoni se nuk është bërë mirë te Tirana në këtë gjysmë të parë të sezonit?
-Unë i qëndroj bindjes sime se, gjatë merkatos Tirana nuk ka marrë futbollistë të nivelit që kërkon kjo skuadër. Mangësi ka, se flet vetë renditja, por mendoj se edhe fati ka qenë kundër skuadrës, e për këtë le të kujtojmë disa ndeshje ku loja e saj ka qenë në nivele të mira.
Në gjykimin tuaj, ku duhet përmirësuar Tirana në gjysmën e dytë të këtij sezoni?
-Përmirësimi më i domosdoshëm është përbërja. Gjatë merkatos së dimrit mendoj se i duhet të afrojë elementë cilësorë, edhe pse do ta ketë të vështirë që në këtë periudhë të gjejë lojtarë të lirë të nivelit të lartë. Nëse e nis prej këtej punën, ndryshimi do të jetë pozitiv.
Në cilët reparte mendoni se Tirana duhet të plotësohet gjatë merkatos së dimrit?
-Kryesisht në repartin e mbrojtjes, që në 17 javët e luajtura ka bërë shumë gabime në pësimin e golave. Repartet e tjera duken si më të plotësuara dhe duke i qëndruar mendimit se kjo merkato është e vështirë në gjetjen e elementëve cilësorë, duhet qëndruar vetëm te mbrojtja.
Të premten Tirana pret Flamurtarin, e shikoni një ndeshje të vështirë për tu fituar?
-E mendoj një ndeshje të hapur për të tria rezultatet, jo vetëm se ndeshen mes tyre dy nga skuadrat më të mëdha. Flamurtari vjen në Tiranë me një gjendje psikologjike më të lartë, por nëse Tirana do të luajë si në pjesën e dytë me Laçin, do të jetë më pranë fitores.
Po në takimet e tjera të javës së 17-të, ku mendoni se do të kemi ndonjë surprizë të këtij fundviti?
-Të gjitha janë ndeshje të vështira, duke përjashtuar vetëm sfidën e ditës së dielë Kukësi-Kastrioti, në të cilën kuksianët janë favoritë absolutë. Në ndeshjet e tjera parashikimet janë të vështira, por do dëshiroja që si java e fundit e këtij viti kalendarik, të luhej futboll i mirë.