Skënderbeu tërhiqet për Ibraimin dhe pret Takun

Leonard Trebicka

Propozimi i Shkëndijës së Tetovës për ta marrë nga Skënderbeu mbrojtësin Jashanica vetëm për të lënë të lirë sulmuesin Besart Ibraimi, i ka stepur drejtuesit korçarë. Këta të fundit duket e janë tërhequr nga kjo pistë, edhe pse e kanë pëlqyer shumë lojtarin e Shkëndijës. Presidenti Takaj është menduar dhe bashkë me stafin e tij kanë arritur në konkluzionin se nuk ia vlen një sakrificë e tillë financiare. Skënderbeu duhet të privohet nga një titullar shumë i rëndësishëm si Jashanica, si dhe duhet t’i  afrojë Ibraimit një pagë mujore prej 17 mijë eurosh. Një kosto vërtet e lartë për kampionatin shqiptar. Për momentin, drejtuesit e Skënderbeut dhe trajneri Daja po punojnë që të sjellin në ekip një qendërsulmues të fortë. Ibraimi ishte një alternativë, por kushton shumë, plus që korçarëve nuk u interesonte të hynin në merkato për mbrojtës, nëse do të sakrifikonin Jashanicën. Në këto kushte, pista e sulmuesit të Maqedonisë duket thuajse e mbyllur, me shanse minimale. Korçarëve u duhet një lojtar me përvojë në sulm dhe janë të detyruar ta kërkojnë atë jashtë vendit. Ibraimi ka një kontratë edhe dy vite të tjera me Shkëndijën, prandaj vlera ishte kaq e lartë. Nëse do të ishte një lojtar pa kontratë, Skënderbeu do ta kishte më të lehtë të siguronte shërbimet e këtij futbollisti me vlera, por tani kjo çështje mund të konsiderohet e mbyllur.

TAKU – Skënderbeu ndërkohë pret një përgjigje përfundimtare nga mesfushori Afrim Taku, me të cilin ka një akord. Lojtari ndodhet në kryeqytet dhe të shtunën do të udhëtojë drejt Amerikës, ku ka në plan të qëndrojë 10 ditë. Kjo periudhë e gjatë u prish punë korçarëve, sepse duan në dispozicion në ndeshjet europiane. Dje ka pasur një bisedë mes presidentit Ardjan Takaj dhe Takut, ndërkohë që me lojtarin ka folur edhe trajneri Ilir Daja. Udhëtimi në Amerikë pengon zyrtarizimin e marrëveshjes. Më 29 qershor korçarët luajnë në Europa League dhe afrimet i do që në ditët e para të fazës përgatitore. Për Takun Skënderbeu mund të tolerojë, duke e shtyrë disa ditë bashkimin e tij me grupin në  Slloveni, por jo 10 ditë, sa kërkon lojtari. Pritet tashmë përgjigja përfundimtare e Afrim Takut, i cili duhet të vendosë sa më shpejt.

SULMI – E gjithë vëmendja e Skënderbeut në këtë moment është te sulmi dhe korçarët po kërkojnë në tregun e huaj. Largimi i Hamdi Salihit, Marvin Ogunxhimit dhe shitja në prag e Liridon Latifit, bëjnë që Skënderbeu të mbetet zbuluar përpara. Këtë e di shumë mirë trajneri Daja, i cili do të paktën dy sulmuese “race” dhe është duke kërkuar me ngulm, që t’i sigurojë sa më parë. Në tregun vendës nuk ka alternativa, kështu që përforcimi më i rëndësishëm i korçarëve do të vijë nga jashtë vendit. Ibraimi ka rënë poshtë dhe tani po shihen alternativa të tjera, ndoshta ballkanike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *