Skënderbeu kërkon pikët maksimale në Laç. Trajneri Orges Shehi thekson se skuadra e tij me këtë ide në kokë është përgatitur gjatë gjithë javës. “Po punojmë për të fituar në Laç dhe kur shkon drejt seancave të fundit ke shumë pak për të bërë. Me këtë motiv kemi punuar gjatë gjithë javës. Janë edhe pak ndeshje. Shpresoj të jemi aty ku e lamë ndeshjen e fundit me Kastriotin”, u shpreh Shehi në RTSH Sport.
Më pas ai shtoi: “Me Laçin është një ndeshje e vështirë, si çdo ndeshjetjetër e këtij kampionati. Gara bëhet më e fortë nga java në javë, pasi të gjitha skuadrat kanë objektiva. Jemi të sigurt që od jetë një transfertë e vështirë”.
GJENDJA E SKUADRËS – Skënderbeu do të ketë dy mungesa në ndeshjen e nesërme dhe sigurisht që planet e Shehit janë prishur disi. “Kemi Muzakën të dëmtuar, ka një frakturë në hundë që e detyroi të dilte nga loja kundër Kastriotit. Do na mungojë shumë Muzaka. Taipi vazhdon ende periudhën riaftësimit. Sa i takon formacionit, do ta shikoni nesër”.
VENDIMI I KAS – Shehi dhe të gjithë lojtarët janë në pritje të vendimit të KAS. Trajneri durrsak deklaron: “Jemi të interesuar për vendimin, jemi pak në ankth. U them lojtarëve me shaka, jemi sikur kemi një familjar në sallë operacioni. Tani operacioni është kryer por duhet pritur të dalë nga salla”.
EUROPA – Skënderbeu mund ta sigurojë Europën nga Kupa ose kampionati, ndërkohë që Shehi thekson se korçarët do kërkojnë ta realizojnë objektivin nga të dyja kompeticionet. “Jemi afër Europës si nga Kupa, ashtu edhe nga kampionati. Distanca është njëlloj dhe do tentojmë nga të dyja krahët”.