Skënderbeu i jep 10-ën Shkodrës, Shkëmbi: Ndoshta sjell fat

Klubi korçar premtoi një vit më parë se do ta tërhiqte fanellën e kapitenit legjendar, por tashmë fanella emblematike do të mbahet nga mesfushori kosovar

“Gjashtë tituj radhazi me Skënderbeun dhe të gjithë të ngritur lart prej tij. Ai është një legjendë më vete, prandaj ne si klub kemi menduar ta heqim nga qarkullimi numrin 10, atë që mbante mbi shpinë kapiteni Bledi Shkëmbi.” Ky është qëndrimi që mbante një vit më parë klubi “Skënderbeu”, që e mbajti premtimin sezonin e kaluar, teksa fanella me numrin 10 nuk ishte. Por duket se një vit zgjati respekti për ish-kapitenin, sepse fanella me numrin 10 të dalë nga “sirtari” dhe i është dhënë Donjet Shkodrës, mesfushorit të afruar këtë verë te bardhekuqtë. Në listën e futbollistëve të Skënderbeut, të regjistruar në UEFA, Shkodra figuron me numrin 10 dhe nesër tifozët korçarë do të shohin përsëri në fushë këtë numër emblematik për ta. Në fakt, mbetet për t’u parë si do të reagojnë. Vetëm një vit ishte premtimi i drejtuesve të klubit bardhekuq për fanellën me numrin 10? Ndoshta ata vetë do ta shpjegojnë këtë çështje, po nesër si do t’u duket korçarëve në stadium kjo fanellë në shpinën e dikujt tjetër? Bledi Shkëmbi ka nisur tashmë aventurën e trajnerit me Lirinë e Prizrenit në Kosovë, ndërsa Donjet Shkodrës i duhet të bëjë gjithçka për të justifikuar fanellën që do të mbajë mbi shpinë. Një barrë shumë të vështirë ka marrë përsipër, por ai është i talentuar dhe mund t’ia dalë të fitojë simpatinë e tifozëve korçarë, sepse Bledi Shkëmbin, jo për faj të tij, nuk mund t’ua zëvendësojë dot. Me Flamurtarin Shkodra ka mbajtur numrin 10 dhe duket se e ka fiksim këtë fanellë. Mund të ketë qenë kërkesë e tij për të mbajtur këtë numër edhe te Skënderbeu. Por, nëse korçarët e kishin ndarë mendjen, që nuk do ta nxirrnin në qarkullim numrin 10, duhet t’i kishin qëndruar besnikë vendimit të tyre. Po Shkëmbi vetë, si do të ndihet?

Ish-kapiteni
“Pa 10 s’pati fat, ishallah
kthehet edhe titulli!”
I kontaktuar nga “Sport Ekspres” në lidhje me vendimin e klubit korçar për të kthyer numrin 10 pas një viti, ai që e ka mbajtur për shumë vite këtë numër, Bledi Shkëmbi, ka pasur një reagim të shkurtër, që më shumë është një urim për ekipin e zemrës: “Meqenëse u kthye numri 10, ishallah Skënderbeu del përsëri kampion. Pa numrin 10 sezonin e fundit nuk pati fat. Uroj të rikthehet dhe të dalë kampion”, – u shpreh shkurt ish-lideri i Skënderbeut në fushë, mungesa e të cilit u ndjek jo pak me tërheqjen e tij nga futbolli. Një reagim aspak polemizues, sepse në fund të fundit janë drejtuesit që vendosin, por mund të kuptohet se ish-kapiteni mund të mos ndjerë mirë, përderisa është premtuar se ajo fanellë do të tërhiqej nga qarkullimi, siç ndodh shpesh me lojtarë emblematikë të skuadrave të ndryshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *