Skënderbeut i ka mbetur edhe një ndeshje për ta luajtur në fushë, ajo me Luftëtarin, ndërkohë që java e fundit i rezervon Kamzën si kundërshtar. Kështu, korçarët duhet të mposhtin gjirokastritët dhe të shpresojnë në ndalimin e Teutës, Flamurtarit dhe Laçit në këto dy javë kampionat.
Në sfidën me Luftëtarin ata do të kenë mungesa të rëndësishme. Sulmuesit Oto Xhon dhe Blerim Krasniqi e kanë mbyllur sezonin, ashtu sikurse edhe mbrojtësi Kaba Sambou. Me gjasa edhe Gjergji Muzaka do të mungojë ndaj bluzinjve.
Para ndeshjes me Luftëtarin ka folur mbrojtësi Bruno Lulaj, i cili pas një kohë të gjatë u rikthye të luante. Kundër Kukësit bëri një ndeshje të mirë dhe flet për fitoren me verilindorët dhe objektivin Europë të Skënderbeut.
“Morëm një fitore shumë të rëndësishme për Europën. E bëmë ndaj një kundërshtari me vlera. Të gjitha janë mësuar me një Skënderbe që lufton për tituj. Nëse nuk kapin Europën, atëherë do të jetë një dështim. Shikojmë ekipin tonë dhe mendojmë të fitojmë me Luftëtarin. Nuk na intereson çfarë bëjnë kundërshtarët e tjerë, por presim dhurata”, është shprehur Lulaj mes të tjerash për RTSH Sport.