Skënderbeu përballet me Kukësin nesër dhe për trajnerin Orges Shehi situata nuk është e mirë, pasi nuk do të ketë disa titullarë në dispozicion. Kapiteni Radas, por edhe Kaba Sambou për shkaqe dëmtimesh nuk mund të luajnë, ashtu sikurse Oto Xhon.
Tekniku durrsak, në analizën e tij thekson se skuadrës së tij i mungojnë disa pikë: “Na shqetëson fakti që na mungojnë disa pikë. Kemi pasur luhatje. E dinim, pasi të luash me shumë të rinj është risk”. Më tej Shehi ka folur për kundërshtarin e radhës, Kukësin.
“Është ndeshje e vështirë, ndaj një ekipi shumë të fortë. Është ndeshja e fundit për objektivat tona. Do e tentojmë me gjithë forcën, edhe pse do të kemi shumë mungesa. Nuk është situata e mirë. Radas nuk është bashkuar me grupin dhe ka problem muskulor. Na u dëmtua edhe Kaba. Do luajë Lulaj, i cili kthehet pas disa muajsh dhe ende nuk ka formën më të mirë. Kemi edhe Pëllumbin, këta janë dy qendërmbrojtësit në ekip. Edhe Oto Xhon nuk është në gjendje të luajë”, shton Shehi për RTSH Sport.
Pavarësisht problemeve, Shehi deklaron se Skënderbeu duhet të ketë besim se mund ta kalojë me sukses sfidën me verilindorët. “Besim duhet të kemi. E kemi treguar që edhe në ndeshje të vështira kemi marrë maksimumin, madje edhe kur askush nuk e ka pritur. Do luftojmë me mundësitë që kemi”, përfundoi durrsaku.