Milani ditët e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes, për shkak të ndryshimeve drastike në krye të klubit, duke nisur nga pronarët e deri tek drejtuesit që merren me organizimin dhe menaxhimin e klubit.
Mediat në Itali kanë aluduar pa fund në lidhje me të ardhmen e Xhenaro Gatuzos, për shkak se trajneri kuqezi ishte një zgjedhje e Fasones dhe Mirabelit, të larguar tashmë. Gjithashtu, është thënë se Milani po bisedon me Konten, për të marrë drejtimin e kuqezinjve.
Megjithatë, presidenti i ri Paolo Skaroni ka vendosur të sqarojë disa gjëra dhe Gazzetta dello Sport raporton se mes tij dhe Gatuzos është zhvilluar një telefonatë ku janë thënë shumë gjëra në lidhje me të tashmen dhe të ardhmen e stolit kuqezi.
Dje Gatuzo deklaroi se ende nuk kishte folur me pronarët e rinj dhe biseda telefonike me Skaronin është një hap i madh përpara në këtë drejtim.
Presidenti i ri e ka siguruar Gatuzon se puna e tij nuk është në rrezik dhe nuk ekziston asnjë para marrëveshje apo negociatë me Antonio Konten.