Uilliam Kordeiro është një nga lojtarët më të spikatur te Kukësi. Braziliani, i cili u mor për krahun e djathtë të prapavijës, po luan si sulmues anësor dhe deri më tani ka shënuar gola të rëndësishëm. Sot ai ka dalë në konferencë për shtyp dhe ka folur për pozicionin e tij, jetën në Shqipëri dhe kampionatin tonë.
Ke ardhur si mbrojtës i djathtë, por u zhvendosët në krahun e majtë të sulmit. E kishit menduar ndonjëherë?
-Unë kam ardhur si mbrojtës i djathtë, por në Brazil kam luajtur në shumë pozicione. Për mua nuk ka rëndësi ku luaj, ka rëndësi të jap maksimumin për ekipin tim. Aty ku trajneri më kërkon të luaj, unë do të jap maksimumin që ne të arrimë të fitojmë dhe të plotësojmë objektivat.
Çfarë ka ndryshuar nga ndeshja e fundit që humbët ndaj Skënderbeut?
-Mendoj se skuadra është më e pjekur dhe më e përgatitur për këtë ndeshje. Jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje të madhe dhe do të marrim tre pikët. Një ekip që kërkon të dalë kampion, nuk mund të kënaqet me barazimin. Kemi punuar mirë dhe do ta fitojmë këtë sfidë.
Si është jeta në Shqipëri dhe çfarë mund të na thoni për ndryshimet mes futbollit tonë dhe atij brazilian?
-Jam shumë i lumtur këtu dhe klubi më ka pritur mirë. Qyteti është shumë i mirë për të jetuar dhe jam ambientuar mirë. Mënyra e lojës është pak më ndryshe se në Brazil, pasi atje ka më shumë teknikë, ndërsa këtu kërkon më shumë forcë. Gjithsesi, jam mësuar me mënyrën e të luajturit në Shqipëri.
Gjici nuk ishte i kënaqur me lojën ndaj Luftëtarit, ndiheni në presion?
-E respektoj shumë mendimin e presidentit, por mendoj se tre pikët janë më të rëndësishme. Nëse ai nuk e ka pëlqyer ndeshjen, ka motivet e tij. {or nuk dua të hyj në këtë pjesë, pasi për mua kanë më rëndësi tre pikët e fituara.
Po bëni një sezon të mirë, a keni plane për të ardhmen?
-Është shumë herët për të folur, kam një kontratë deri në fund të sezonit me Kukësin. Mundohem të shikoj më shumë nga e tashmja, se sa nga e ardhmja. Jam shumë i lumtur momentalisht, në fund të sezonit do të flasim përsëri.
Partizani apo Skënderbeu, kush është ekipi më i fortë?
-Janë të dyja ndeshje të mëdha dhe nuk mund të diferencoj njërin apo tjetrin. Nëse ne duam të jemi kampion, duhet t’i mundim të dyja ekipet.