Kastrioti mori tre pikë në transfertën me Luftëtarin. Trajneri Elvis Plori është i sinqertë kur thotë se ekipi i tij kishte shkuar në Gjirokastër për të marrë një pikë. Gjithsesi krutanët fituan, por nuk është se ka kohë për festë, pasi të dielën në Krujë vjen si mysafir Skënderbeu kampion në fuqi.
“Shkuam për të marrë një pikë morëm tre. Duhet të kthehemi me këmbë në tokë, vjen ndeshja e radhës me kampionët e Shqipërisë. E vlerësojnë të gjithë atë ekip, jo vetëm ne”, thotë mes të tjerash Plori në RTSH Sport.
Në lidhje me sfidën ndaj Skënderbeut, shkodrani thekson se Kastrioti do të ishte i kënaqur edhe me një pikë, pasi kundërshtari është një ekip mjaft i fortë. “Duhet të jemi të kënaqur edhe me një pikë, duke ditur se çfarë ekipi ka Skënderbeu”, shtoi Plori.
Në Gjirokastër Kastriotit iu mohua një penallti e pastër, ndaj edhe festa e golit të Mziut më pas u festua në mënyrë të çmenduar nga trajneri i krutanëve. Ai tregon edhe arsyen: “Isha i mbushur me emocione, pasi penalltia e mosakorduar më bëri të ndihem ashtu”.