Edhe pse nuk e kishte paralajmëruar një ndryshim të bankinës, Presidenti i Besës Nexhat Bizhdili duket se nuk heq dorë nga synimi që skuadra të ngjitet në Kategorinë Superiore për sezonin e ardhshëm. Këtë e tregon edhe ndryshimi i trajnerit, pasi vendin e Gentian Begesë tashmë do ta zerë një emër i njohur në trajningun e futbollit shqiptar, peqinasi Gugash Magani.
Për këtë lëvizje, Magani deklaroi për SportEkspres.com se u bind jo vetëm nga oferta e Bizhdilit, por më tepër për objektivin e Besës, e cila edhe pse renditet në vendin e dytë në Grupin B të Kategorisë së Parë, synimin final të këtij sezoni ka ngjitjen në Kategorinë Superiore. “Presidenti Bizhdili beson në aftësitë e mia që Besa këtë sezon të ngjitet në Kategorinë Superiore”, kështu theksoi Magani për këtë lëvizje.
Ndërkohë që tekniku i ri i verdhezinjve kavajas këtë e quan edhe si një garanci për të punuar në arritjen e synimit, të cilin ai e mendon të vështirë, por jo të pamundur. “Garancia e presidentit Bizhdili, se do ta mbështesë maksimalisht skuadrën për t’u ngjitur në Superiore, më bindi që unë të ulem në stolin e kësaj skuadre të madhe në futbollin shqiptar. Pas Sokol Mziut dhe Efijong Ejoh, merkato do të vazhdojë me emra të tjerë që do të garantojnë këtë synim”.
Në 14 javët e para të Kampionatit në Kategorinë e Parë, Besa u rendit në vendin e dytë në Grupin B, me 4 pikë më pak Bylisit që mban vendin e parë.