Kapiteni shkodran nuk bie dakord me drejtuesit dhe del i lirë në treg. Gjithçka vjen nga mosmarrëveshjet për kontratën e re, edhe pse Shtubina e lë një derë hapur: “Unë jam dakord që të bisedoj përsëri me Vllazninë, por nga ana tjetër dua të shoh edhe lëvizjet e mia”.
Gaspër Marku
Kishte ditë, ose më saktë, plot një javë, që Ndriçim Shtubina nuk shfaqej në seancat stërvitore të Vllaznisë. Arsyeja e kësaj braktisjeje të stërvitjes fillimisht u mendua se kishte të bënte me problemet e mosmarrjes së rrogës mujore që i takon majit të sezonit të kaluar, por në ditët në vazhdim nga vetë Shtubina u bë e ditur se ekziston disa mosmarrëveshje me klubin kuqeblu, në lidhje me disa kërkesa të paplotësuara kundrejt tij nga klubi kuqeblu. Pikërisht kur gjërat dukeshin se po zgjidheshin dhe të gjithë prisnin Shtubinën në stërvitjen e së hënës, gjithçka është mbyllur me “divorc”. Takimi që Shtubina ka pasur me drejtuesit nuk ka rezultuar pozitiv, që do të thotë se mesfushori shkodran ka dalë futbollist i lirë. Lajmin e bëri publik në një farë mënyre vetë Shtubina dje, me një status në Facebook, ndërsa për “Sport Ekspres” kapiteni i Vllaznisë konfirmon gjithçka, duke folur menjëherë pas takimit që ai pati mesditen e së hënës me administratorin e klubit kuqeblu, Astrit Gjyrezi.
Takimi me Gjyrezin – “Të them të drejtën, ka pasur fjalë, disa të vërteta dhe disa të pavërteta, por nga ky moment jam lojtar i lirë. Nuk jam aq i lumtur që jam i lirë, pasi dëshira ime ka qenë që të jetoj sa më gjatë me Vllazninë, por gjithsesi gjërat kështu shkojnë, marrëdhënie pune janë, shpresojmë që të rregullohet, edhe nëse nuk rregullohet, gjithsesi gjithkush e ka të ardhmen e vet”. Këto ishin fjalët e para që Ndriçim Shtubina tha pasi la zyrën e administratorit të klubit kuqeblu Astrit Gjyrezi. Takimi i djeshëm duket se nuk ka qenë i vetmi që Shtubina ka pasur me drejtuesit në lidhje me problemin e tij, gjë që e shpjegon më pas në prononcimin e tij: “Me drejtuesit jam takuar dy-tre herë dhe nuk kemi pasur një mendim të përbashkët, por gjithsesi unë jam dakord që të bisedoj përsëri me Vllazninë, por nga ana tjetër dua të shoh edhe lëvizjet e mia”. Gjithnjë sa u takon takimeve që ai ka pasur me njëshin e klubit kuqeblu, Astrit Gjyrezi, ai pohon se “ne bisedojmë, por nuk zgjidhim asgjë”. “Nuk e di pse, ndoshta jam gabim unë, ndoshta është klubi, nuk e di çfarë të them, nuk e di se si mund të zgjidhet. Mendoj se vonesat janë ato që bëjnë që të ngecë puna. Ulesh dhe bisedon me dikë, duhet t’ia kaloj këtij, duhet t’ia kaloj një tjetri, ndërsa unë dua të zgjidh të ardhmen time sa më shpejt”, shprehet ai.
Keqardhja – Një prononcim që kishte brenda edhe keqardhjen e mosakordit me drejtuesit, por në të njërën kohë edhe reagimin apo edhe pakënaqësitë rreth asaj që ai nuk po mirëkuptohej me drejtuesit në lidhje me kërkesat që ai kishte parashtruar. Një gjë e tillë do të shikohej qartë edhe në publikimin e një statusi në profilin e tij të rrjetit social Facebook, teksa Shtubina shkruante dje:” Nga ky moment jam lojtar i lirë, shpresoj që Vllaznia të blejë Mesin në vendin tim, s’kam çfarë flas ma!”
Kërkesat – Në pamje të parë duket se Shtubinën me Vllazninë e ndajnë gjëra të mëdha, por sipas kapitenit nuk bëhet fjalë për gjëra të mëdha, madje sipas tij krejt të vogla që edhe mund të rregullohen. Pyetja direkte se cilat janë kërkesat që Shtubina i ka paraqitur klubit, ai i përgjigjet: “Ah, nuk janë kërkesa që nuk janë të realizueshme, por gjithsesi janë gjëra që nuk dua t’i bëj publike. Gjëra të vogla janë, por edhe drejtuesit e kanë në dorë. Ata më njohin si karakter, si lojtar, besoj se ata kanë më shumë vendimmarrje në këtë drejtim. Unë jam lojtar që jam rritur këtu, nuk është se kam aq dëshirë të largohem”. Megjithatë, në vazhdim ai e pranon se problemi është financiar. “Normale që kontrata kur firmoset, baza financiare është patjetër, por e vërteta është që unë nuk kam kërkuar rrogën e fundit, që të sqarohemi dhe gjërat t’i themi drejt. Unë kam kërkuar të ardhmen time që të jetë sa më saktë dhe sa më e drejtë. Gjërat nuk po na përputhem dhe unë mendoj se vetëm për pak gjëra nuk po mirëkuptohemi besoj, por edhe unë kam të drejtat e mia”, sqaroi Shtubina.
Një javë pa stërvitje
Problemet që ka pasur me klubin në lidhje me kontratën kanë bërë që Shtubina të qëndrojë plot një javë larg skuadrës, duke munguar sistematikisht në seancat stërvitore. Mungesë që nëse gjërat do të vazhdojnë të jenë në këtë gjendje, jo vetëm që do të thellohet, por edhe pritet të shkojë në ndarje përfundimtare. “Unë besoj që vetëm në fushë nuk kam qenë me shokët dhe drejtuesit, pasi unë rri me shokët çdo ditë, interesohem dhe pyesim njëri-tjetrin për situatat aktuale që shoqërojnë skuadrën tonë. Edhe me drejtuesit rri në kafe, janë njerëz të mirë, por kur nuk ecën puna, diçka nuk shkon. Diçka e vogël besoj, por nuk dua të them asgjë në këtë drejtim për momentin. Ditët në vazhdim do ta shohim se çfar do të ndodhë”, shprehet ai.
Kontaktet me klubet e tjera
Ndriçim Shtubina në treg, një lajm që natyrisht nuk mund të lërë indiferente disa klube në Superiore. Për t’u theksuar është fakti se Shtubina lë shteg edhe për ndonjë mundësi mirëkuptimi gjatë ditëve në vazhdim me Vllazninë, por tashmë po studion edhe alternativat në Superiore. “Them që janë gjëra personale, gjëra që njerëzit ndoshta nuk kanë pse t’i dinë, por çdo gjë do të zbulohet dhe besoj se nuk është ndonjë problem i madh që do të largohem unë. Vllaznia do të jetë gjithmonë, shpresoj që të jetë e ardhmja më e mirë, edhe për mua edhe për klubin, por kështu vijnë gjërat”, shprehet në mënyrë të përgjithshme Shtubina për të ardhmen e tij. Kapiteni shkodran është i shqetësuar: “Është e drejta ime, si morale, ashtu dhe burrnore, nga marrëdhëniet që kemi pasur me klubin, por gjithsesi durimit i vjen fundi duke pritur, pasi ekipet po ndërtohen, ata po fillojnë stërvitjet. Nuk e di, jam shumë i paqartë dhe nuk e di krejt mirë çfarë të flas, por gjithsesi do të ulem dhe të bisedoj edhe me njerëzit e mi dhe të shohim se si do të shkojnë gjërat”, sqaron më tej Shtubina. Konkretisht, në lidhje me ofertat, ai thotë: “Shtubina ka pasur për çdo vit oferta dhe prandaj jam ulur dhe kam biseduar duke i duruar drejtuesit, në momentet më të vështira kur kam bërë sezone të dobëta më ka pranuar klubi, kur kam bërë sezone të mira dhe kam pasur oferta nuk jam larguar, pra ky ka qenë bashkëpunimi i im më i mirë me klubin”.