Shtatë fitore në 8 ndeshjet e fundit, “makineria” Bylis bëhet e pandalshme

Nga: Edi Spahiu

Bylisi ka mposhtur Apoloninë në derbin e prefekturës dhe vazhdon të kryesojë i vetëm grupin B, duke qenë plotësisht në “shinat” e pretendimeve për të kërkuar rikthimin në Superligë. Në një ndeshje mjaft të dyluftuar dhe me shumë rivalitet, skuadra ballshiote ka shfaqur një lojë të bukur dhe me theks sulmues, jo vetëm duke mos e vënë në dyshim fitoren, por edhe se ndryshe nga shifrat minimale, me lojën e treguar mallakastriotët meritonin vërtetë një fitore me shifra akoma më të thella.

Në këtë takim, ku ka shkëlqyer sërish nigeriani Beji, që shënon golin e tij të shtatë në këtë kampionat, skuadra e teknikut Dovedan tregoi se po shfrytëzon mjaft mirë si faktorin fushë, ashtu edhe ecurinë pozitive në kampionat, ku në tetë javët e fundit ka realizuar shtatë fitore dhe një barazim, ecuri që ka rritur shumë adrenalinën tek skuadra dhe tifozeria vendas.

Javën e ardhshme ballshiotët do të kenë një takim me vlera finale po në Ballsh, përballë Besës, duke kërkuar thellimin e diferencës në tabelë nga ndjekësit e tyre më të afërt.

 

BYLIS – APOLONIA         1-0

Shënues: Beji 64′

Bylis: Bytyci, Beji, Barjamaj (Doksani 84′), Koffi, Kullira, Liçkollari (Çela 64′), Ntefe, Peposhi, Smanda, Shyti, Zefi. Tr: V. Dovedan.

Apolonia: Harizaj, Bakalli, Buzi, Hidershaj, Hysenshahaj, K. Mehmeti (Omeri 73′), Meto, Nako, K. Prifti, Sota, Troka (Mihana 70′) Tr: M. Miho

Kartonë të verdhë: Barjamaj 21′, Bytyçi 78′,, Kullira 90′ / Hysenshahaj 22’, Buzi 28′, Troka 58′

Gjyqtarë: E. Jorgji, E. Ganxhi, U. Kora (Elbasan)

 

 

TË VEÇANTA:

– Minuta 67′ ka krijuar ilaritet në stadium, pasi portieri vendas Bytyçi po vononte lojën, duke i treguar kryesorit Jorgji që i ishte zgjidhur njëra prej këpucëve. Futbollisti mik Bakalli ka vrapuar disa metra në drejtim të Bytyçit, duke i lidhur këpucën dhe më pas loja ka vijuar.

– Gjatë gjithë takimit tifozeria mike Brigada C ka ofenduar në korr kryesorin e takimit Enea Jorgji. Në pjesën e dytë, duke e pasur shumë pranë sektorit ku ndodheshin, nuk kanë kursyer sharjet as për portierin vendas Mario Bytyçi.

– Në fund të takimit, teksa futeshin në dhomat e zhveshjes, futbollistët e Apolonisë kanë krijuar tension të panevojshëm, duke u kapur dhe fyer disa futbollistë vendas.

 

PAS NDESHJES:

 

  1. Dovedan ( Tr. Bylis): Ky është momenti ynë, pasi ecuria e skuadrës për sa u përket rezultateve është vërtet fantastike, dhe kryesimin e kemi merituar plotësisht. Por vazhdojmë të shpërdorojmë raste pa fund para portës kundërshtare, dhe me të drejtë unë ndihem i mërzitur gjatë ndeshjes, pasi prodhojmë shumë lojë dhe krijojmë raste pa fund, dhe për të qenë të sinqertë me ata që e ndoqën këtë takim si dhe me veten tonë, fitorja jonë sot meritonte të ishte me 3-4 gola, por le të shpresojmë se ato do të vijnë me Besën ndeshjen e ardhshme sërish në shtëpi.

 

  1. Miho (Trajner i Apolonisë): Kemi zhvilluar një takim të barabartë me vendasit, dhe kjo më bën që të flas pozitivisht për paraqitjen e skuadrës sime, pasi nuk e meritonim që të dilnim me humbje nga ky takim, Unë kam rezerva për gjykimin e Enea Jorgjit, pasi na trajtoi paksa si shumë ashpër në këtë përballje, aq më shumë kur ndeshja ishte Live në ekranin e TVSH dhe në disa ndëshkime me kartonë është treguar i njëanshëm, dhe po kështu i akordonte shumë lehtë disa faulle të paqena në afërsi të zonës sonë me qëllim që të ndihmonte hapur Bylisin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *