Pas më shumë se 7 dekadash në Superligën Zvicerane Grasshopers ra në divizionin e dytë. Në një intervistë për “SRF”, trajneri i ri i Grasshopers, Uli Forte, pranoi se talenti shqiptar Nedim Bajrami mund të largohet nga klubi pasi interesi për të është i lartë.
“Duam të vazhdojmë me projektin me shumë prej lojtarëve të rinj që kemi në skuadër, një ndër to është dhe Bajrami, por nuk është dhe aq e thjeshtë pasi dihet që për ka interes të madh”, tha trajneri Forte.
Futbollisti 20-vjeçar ka qenë pjesë e formacionit titullar të Grasshopers prej dy sezonesh. Mediet zvicerane kanë folur për një interes të kampionëve të Jang Bojs për lojtarin e lindur në Tetovë.
Bajrami ka qenë pjesë e rregullt e grupmoshave të Zvicrës, ndërsa përveç helvetëve mund të zgjedhë të përfaqësojë Shqipërinë ose Maqedoninë e Veriut.