Sulmuesi 18-vjeçar Leon Dajaku ka debutuar me ekipin rezervë të Bajernit në ndeshjen hapëse të Bundesliga.3 kundër Vyrzburget Kikers. Futbollisti me origjinë shqiptare firmosi vetëm pak ditë më parë me kampionët e Gjermanisë, duke u transferuar nga Shtutgarti në një “operacion” që kushtoi përreth 1.5 milionë euro.
Në ndeshjen e sotme Dajaku u fut në fushë në minutën e 72-të duke zëvendësuar bashkëkombësin e tij shqiptar Meritan Shabani. Takimi u mbyll me fitoren 3 – 1 të Vyrzburger Kikers. Synimi i ekipit të dytë të Bajernit është sigurimi i mbijetesës.
Dajaku plotëson kushtet për të luajtur edhe një vit në Bundesligën U19, por mesa duket te Bajerni besojnë se adoleshenti ka cilësitë e duhura për t’u aktivizuar që në këtë moshë në futbollin profesionist.