Bundesliga është një ndër kampionatet më elitarë në Europë dhe të çash në skuadrat e divizionit elitë të Gjermanisë është shumë e vështirë. Megjithatë, ky sezon si rrallë herë më parë ka në katër talente me origjinë shqiptare, që teorikisht mund të luajnë me kombëtaren e Shqipërisë ose Kosovës.
Lojtari më i afirmuar është padyshim Elvis Rexhbecaj. Mesfushori 21-vjeçar është kthyer në një lojtar që shpesh është pjesë e formacionit titullar te Volfsburgu. I dytë në radhë është Meritan Shabani i Bajernit të Mynihut. Lojtari me origjinë shqiptare konsiderohet si një ndër lojtarët me premtues të akademisë së kampionëve të Gjermanisë. Ofertat për ta huazuar atë nuk kanë munguar madje gjatë merkatos së janarit 19-vjeçari ishte pranë kalimit te Ajaksi i Amsterdamit.
Kalojmë te Hanoveri, ku Florent Muslija është pjesë e rregullt e skuadrës së parë. I riu shqiptar u ble nga Karlsruhe dhe aktivizohet si mbrojtës ose mesfushor krahu. Më i riu i shqiptarëve të Bundesligës është Leon Dajaku i Shtutgartit. Sulmuesi me origjinë shqiptare është vetëm 17 vjeç dhe ka mbi shpinë dy aktivizime në kampionat.
Kosova dhe Shqipëria janë gjithmonë me një sy nga katër talentet, por duhet treguar durim pasi në lojë është dhe Gjermania. Të katërt futbollistët premtues aktivizohen me kombëtaret e moshave të katër herë kampionë të botës, por në një situate identike është ndodhur dhe Mërgim Mavraj, i cili tani është kapiteni i kombëtares sonë.