Shqipëria, çfarë përmbysjeje!

Gjergj Vyshka

Shqipëri – Suedi 3-2

(15-25, 23-25, 25-23, 26-24, 15-9)

Shqipëria: Bashi, Xhelati, Shurdhi, Kula, Deliu, Husaj, Kola (L), Musliu (L), Muslia (L)/Gjoklaj, A.Qafarena, Çali, Koçi Trajner: J.Melka

Shqipëria e meshkujve ka fituar me përmbysje në ndeshjen e parë të Ligës së Evropës, e cila është duke u zhvilluar në Shkup të Maqedonisë. Nga 0-2 në disavantazh në 3-2 ndaj Suedisë, në një ndeshje ku Gazmend Husaj është vendimtar me sulmet e tij. Sidomos në setin e tretë, të katërt dhe të pestë, shpërthimet e kosovarit të Inegol Beledejesi Bursa janë spektakolare. E në fund 27 pikë të shënuara dhe dy me shërbim e bëjnë Gazmend Husajn lojtarin e ndeshjes. Por nuk duhen harruar dhe Enea Xhelati, Alvi Shurdhi, Arqile Bashi, Asmend Kula, Amarildo Deliu dhe lojtarët e lirë Renato Kola dhe Italo Muslia, pa harruar këtu dhe zëvendësuesit Gjoklaj, Anton Qafarena, Redjo Koçi, Ervin Çali kanë bërë gjithçka mirë dhe e kanë merituar suksesin duke i dhënë shpresë vetes se do të jenë të tillë dhe në vazhdim ndaj Maqedonisë dhe Azerbajxhanit. Aq më tepër që stacionin e dytë të Ligës së Evropës do ta mirëpresim në Tiranë më 23-25 qershor.

Ndeshja

Faktikisht takimin e kemi nisur si të trembur, të pa ambientuar me arenën ndërkombëtare, ndërsa përvoja e pakët karshi kundërshtarit që ne kishim, i cili ishte Suedia, bënte të veten. Sidomos mungesa e miqësoreve, që shërbejnë për kolaudimin e skuadrës, e kanë bërë të veten. Dhe për rrjedhojë në setin e parë nuk jemi vetvetja, ndërsa Suedia kryeson vazhdimisht 5-8, 5-10, 10-16. Kemi një afrim 14-16, 15-17. Por këtu ndalemi dhe Suedia fiton 15-25. Setin e dytë e kemi nisur mirë, teksa kemi kryesuar 8-6, 16-13, 18-16, 22-20. E pikërisht atëherë kur mendohej se po shkonim drejt fitimit të setit të dytë, Suedia ndryshon rrjedhën e lojës dhe përmbys në 22-23 dhe merr setin 23-25. Duket sikur ka një nënvlerësim të suedezëve ndaj nesh, ndërsa në setin e tretë, teksa kanë kryesuar 7-8, 15-16, 20-22, janë pranë fitores. Por rizgjohet Husaj dhe Shqipëria nuk përmbahet më, ndërsa fitohet seti i tretë 25-23. Kuqezinjtë ngrihen psikologjikisht dhe kryesojnë në të katërtin 8-6. Përmbys Suedia në 15-16. Madje për nervozizëm ndaj gjyqtarit izraelit ka karton të kuq për Xhelatin dhe 17-18. Melka merr pushim dhe skuadra merr zemër dhe përmbys në 21-19. Pas barazimit 24-24 dy pikët me Husajn na japin fitoren e setit të katërt 26-24. Husaj fillimisht e Deliu në fund me shërbim dhe fitojmë setin 15-9 dhe krejt ndeshjen 3-2. Ajo që na ka çaluar gjatë ndeshje ishte sulmi në qendër i suedezëve, ndërsa Kula, apo Bashi e kanë pasur të vështirë të ndalin vrullin e nordikëve. Megjithatë ia kemi dalë të fitojmë.

Shifrat

Pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes është Gazmend Husaj i Shqipërisë me 27 pikë i ndjekur Fredrik Gustavson i Suedisë me 18 pikë, si dhe Enea Xhelati e Erik Sundberg me 13 pikë. Në bllok ka dalë fitues Gustavson i Suedisë me tre mure fituese, ndjekur nga David Peterson dhe Erik Sundberg me dy të tilla, e po kaq dhe Enea Xhelati. Në shërbim është fitues Amarildo Deliu me tre të tilla i ndjekur nga Gazmend Husaj, apo dhe Linus Ekstrand, David Peterson me dy të tilla. Në total Shqipëria në pesë sete ka shënuar 104 pikë prej të cilave 69 pikë vetë, kurse 35 pikë kanë ardhur nga gabimet e Suedisë. Në krahun tjetër Suedia në total ka shënuar 106 pikë prej të cilave 65 pikë vetë, kurse 41 pikë kanë ardhur nga gabimet e tanëve, që kështu e kanë merituar fitoren.

Grupi A – Liga e Evropës

Shqipëri – Suedi 3-2

Maqedoni – Azerbajxha 3-0

Renditja

Skuadra N F H Setavarazhi P

Maqedonia 1 1 0 3-0 3

Shqipëria 1 1 0 3-2 2

Suedia 1 0 1 2-3 1

Azerbajxhani 1 0 1 0-3 0

Luhen sot

Azerbajxhan – Suedi ora 17:00

Maqedoni – Shqipëri ora 19:30

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *