Shqipëria në volejboll për femra na bën të kujtojmë kohërat e arta, pasi sot ka marrë fitoren e dytë rresht në kualifikueset e CEV European League.
Dje mundëm Austrinë, sot ia dolëm kundër Bjellorusisë favorite, duke fituar 3-1.
Një ndeshje e madhe, një Shqipëri me zemër të madhe, e ndihmuar nga një publik fantastik.
Bjelloruset ishin mjaft të organizuara dhe e fituan setin e parë 25-22, por ndjesia ishte se isjim aty, pikë për pikë.
Duhej një shkëndijë dhe na e dha magjikja Erblira Bici, që ishte pa asnjë dyshim heroina e kombëtares sonë.
33 pikë, shërbime të frikshme e një nivel loje në rritje nga Bici, por e gjithë kombëtarja ishte në mbrëmjen e duhur.
Fitore 25-22 në setin e dytë dhe aty treni mori rrugën, me dy setet pasues 26-24 e 25-23, në një sfidë që emocionoi të gjithë.
Në fund, valle për vajzat kuqezi, jemi të dytat pas Finlandës perfekte, por tani kemi edhe 3 finale në Bjellorusi për ta ruajtur vendin.