Shqetësimi i Sinan Idrizit: Skuadra është super, disa tifozë jo

Administratori i Flamurtarit nuk pranon skenat e pahijshme në stadium: “Duhet qytetari, stadiumi nuk është vend për dhunë verbale e fizike. Luftëtari ka të drejtë, por nuk braktiset kampionati”

Ndeshja e djeshme ka qenë goxha e sikletshme për administratorin e Flamurtarit Sinan Idrizi, i cili në fund të ndeshjes dhe pas saj ka pasur shumë punë, për të evituar acarimin e situatës goxha të tendosur në  Vlorë dhe për të ulur tensionin e tejskajshëm, me shumë tifozë që ofenduan në kor jo vetëm arbitrat, por edhe Skënderbeun dhe presidentin korçar Ardjan Takaj, i cili duhet thënë se ruajti një gjakftohtësi të admirueshme. Debatet e ashpra në lidhje me gjykimin, çuditërisht, e kanë indiferent Idrizin, i cili i kushtoi shumë pak rëndësi kësaj pjese: “Nuk më intereson, nuk kam ç’të shoh. Ndeshja ishte shumë e bukur, pati episode të dyshimta që nuk bëjnë automatikisht tendencioz arbitrat, por duke qenë se na ka ndodhur thuajse çdo ndeshje këtë sezon, nuk dimë më ç’të mendojmë. Na kanë sulmuar jo pak, jemi kundër sistemit dhe natyrisht e dimë që do të ndëshkohemi sërish, por kam biseduar edhe me presidentin e Luftëtarit Grigor Tavo, i cili kërcënoi për bojkot të kampionatit. I këshillova që të mos e bëjë, sepse nuk mund ta lërë futbollin shqiptar pa Luftëtarin. Ai klub dhe Gjirokastra i duhen futbollit shqiptar, ashtu si Flamurtari, sepse përndryshe nëse tërhiqen ata, tërhiqemi ne e ndonjë tjetër, kush do të mbetet, çfarë futbolli do të luhet në Shqipëri? Do të humbasë tradita, klubet me histori, ndaj nuk është zgjidhja e duhur braktisja e kampionatit, edhe pse po të duam e bëjmë që nesër, jo vetëm Luftëtari, por edhe ne e disa klube të tjerë”.

TENSIONI – Idrizi ishte goxha i qetë pas ndeshjes dhe shqetësimi i tij kryesor nuk kishte lidhje me atë që ndodhi në fushë. “Nuk është normale që të ndodhin këto skena në Vlorë. Vijnë miq dhe ofendohen në kor, arrihet deri aty sa rrezikohet kontakti fizik. Është turp për Vlorën dhe për mua personalisht, si drejtues i Flamurtarit, që të pritet kështu miku, Takaj apo kushdo president qoftë. Miku nuk pritet në besë, nuk sulmohet pas shpine, përtej atyre që ndodhin në fushë. Kjo më shqetëson shumë mua personalisht, sepse unë kam një imazh që dua ta ruaj për vete, për klubin, por edhe për gjithë qytetin. Më vjen keq ta pohoj, por stadiumi në Vlorë duhet pastruar nga disa njerëz që ende vijnë në stadium vetëm për të sharë, kë t’u dalë përpara. Stadiumi është vend për zbavitje, vijnë edhe familje, nuk mund të shihen skena të tilla, ky është një problem i madh që unë dua ta zgjidh me çdo kusht. E di që është e vështirë, sepse mentaliteti i njerëzve nuk ndryshohet lehtësisht, por duhet të bëjmë të pamundurën që në Vlorë të mos ketë personazhe që shkatërrojnë atmosferën pozitive në stadium”, shprehet Idrizi për “Sport Ekspres”.

“FLOTA KUQEZI” – Ultrasit e Flamurtarit kanë qenë problematikë në ndonjë rast në të shkuarën, por për ta Idrizi ka lëvdata. “A i patë sot? Ishin problemi më i vogël në stadium, ishin thuajse perfektë. Kishim biseduar para ndeshjes dhe ishte rënë dakord që të evitoheshin në maksimum sjelljet problematike. Pati herë pas here ndonjë ofendim, nga nervozizmi i krijuar, por shuhej me shpejtësi. Në fund duartrokitën dhe festuan me skuadrën, kjo është fryma që duhet në stadium, fiton apo jo një ndeshje. Më vjen keq se në vend që të shqetësohemi për tifozët ultras, na lindin probleme nga tribuna qendrore”.

FLAMURTARI – “Të gjithë e dëshironim fitoren, por nuk ishte e thënë. Më pëlqeu paraqitja e skuadrës, luajtëm një ndeshje mjaft të mirë. Djemtë po tregohen seriozë, nëse vazhdojnë kështu, jemi në rrugën e duhur”, përfundon Idrizi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online