Françesko Tahiraj është një nga zbulimet më të mira të këtij sezoni. 22-vjeçari vlonjat i lindur në Torino po aktivizohet në Slloveni me ekipin e Aluminij (kartoni i tij zotërohet nga Torino), ku ka shënuar 9 gola në kampionat dhe ka dhuruar 4 asiste në këtë sezon.
Sulmuesi numëron dhe një gol të shënuar në një ndeshje me Shqipërinë U17, ndërsa ka shënuar dhe një gol në dy ndeshje të zhvilluara me Shqipërinë U19. Me ekipin U21 të Alban Bushit nuk ka luajtur kurrë, ndërsa trajneri ka komentuar një gjë të tillë në prononcimin e dhënë për “Telesport”. Bushi shpjegon situatën e Tahirajt, i cili mund të jetë një përforcim i mirë dhe për kombëtaren e madhe të Panuçit.
“Unë e kam ndjekur, e kam ndjekur dhe live në stadium kur ai kishte moshën për të luajtur me ekipin Shpresa. Është lojtar i mirë, mund të ecë si lojtar, por në atë kohë unë nuk e kam thirrur, sepse lojtarët që merrja në ekip ishin më në formë se Tahiraj. Por, gjithsesi, ai është një lojtar i perspektivës së Shqipërisë, nuk do të thotë se nuk ka qenë tek ekipi Shpresa dhe nuk duhet të jetë në ekipin e parë, sepse është një lojtar, sidomos në këto moshat e vogla, që gjithmonë zhvillohet. Dikush ulet dikush ngrihet lart, ndaj unë shpresoj që t’i bëj punë ekipit kombëtar A“, thekson Alban Bushi.