Një rregull i pashkruar thotë që formacioni fitues nuk ndryshon, por rregullat jo gjithnjë zbatohen, aq më tepër në futboll. Disa nga lojtarët e Kukësit kanë zhvilluar një sezon fantastik dhe jo të pakta kanë qenë interesimet në drejtim të tyre. Sigurisht, pjesëmarrja në Champions League bën që aventura me verilindorët të zgjatet, por më pas gjithçka mbetet për t’u sqaruar.
Pjesës më të madhe të lojtarëve u përfundon kontrata në fund të Kupave të Europës, por ka dhe nga ata që u ka përfunduar me fundin e kampionatit. Normalisht, kontrata nuk mund të përpilohen vetëm për Kupat e Europës dhe gjithçka duhet të zgjidhet shpejt. Duke nisur që nga porta dhe deri në sulm, disa lojtarë janë në pikëpyetje. Koliçi ka oferta nga jashtë vendit, në mbrojtje disa emra janë larguar nga drejtuesit, ndërsa të tjerëve u përfundon kontrata, me përjashtim të Hallaçit dhe Rrumbullakut. Pejiç është në një moshë të madhe dhe askush nuk mund të garantojë një zgjatje dashurie me Kukësin.
Në mesfushë numri i lojtarëve që u përfundon kontrata nuk është i vogël, çka do të thotë që fytyra e Kukësit për sezonin e ardhshëm do të ndryshojë përsëri. Pretendimet madhore në kupat e Europës, me objektivin e deklaruar, grupet e Europa League, natyrshëm që krijojnë nevojën për të afruar lojtarë, që i përgjigjen nivelit të kompeticioneve ndërkombëtare. Nuk ka aspak kohë për pushim, pasi përveç faktit se aventura në Champions për kampionët nis në fillimin e korrikut, duhet të kujdeset dhe për lojtarët që dëshiron për sezonin e ardhshëm, sepse askush nuk do të refuzonte lojtarë që e mbyllën sezonin me trofeun më të rëndësishëm në vend.
Ndërkaq, klubi nuk po tregohet aktiv në treg, duke mos afruar ende asnjë lojtar dhe kjo kryesisht për faktin se presidenti Safet Gjici është duke u marrë me fushatën elektorale dhe nuk ka kohë të mjaftueshme për të qenë i pranishëm në zyrat e klubit në Tiranë.
Emra ka shumë, të ofruar nga menaxherë të huaj, por shumica janë lojtarë mediokër dhe aspak superiorë ndaj grupit që doli kampion, ndërsa emrat vërtet cilësorë kushtojnë, kanë paga mbi 15.000 euro, ndaj kampionët janë në udhëkryq.
Në Champions short i frikshëm, edhe Legia rival i mundshëm
Është plotësuar dje lista me kundërshtarët e mundshëm të Kukësit në Champions League. Legia e Varshavës ka kompletuar listën me 17 skuadrat e mundshme, me të cilat mund të përballet Kukësi. Nga Skocia në Islandë, një short i vështirë mund të konsiderohet për kuksianët, të cilët nuk do e kenë aspak të lehtë, sepse koeficienti i ulët i ka klasifikuar në vazon e dytë.
Skuadra Shteti Koeficienti
Sëlltik Skoci 42.785
RB Salzburg Austri 40.570
Kopenhagen Danimarkë 37.800
Ludogorets Bullgari 34.175
Bate Borisov Bjellorusi 29.475
Legia Varshës Poloni 28.450
Apoel Qipro 26.210
Maribor Slloveni 21.125
Karabah Azerbajxhan 18.050
Malmo Suedi 16.945
Astana Kazakistan 16.800
Partizani Serbi 16.075
Rijeka Kroaci 15.550
Rosenborg Norvegji 12.665
Sherif Tiraspol Moldavi 11.150
Hapoel Ber Sheva Izrael 10.875
FH Islandë 6.175