Brazili ka qenë pranë një tjetër tragjedie futbollistike, por për fat të mirë e keqja e madhe është evituar. Kampionët e Palmeiras ishin nisur drejt Argjentinës, aty ku do të luajnë ndeshjen e Kupës Libertadores kundër Godoi Kruz, në orën 02:30 të ditës së mërkurë.
Avioni me të cilin po fluturonte ekipi, stafi teknik dhe drejtues të klubit ka hasur probleme gjatë udhëtimit për në Mendoza. Momente paniku dhe tmerri, ndërkohë që të gjithëve ju është kujtuar tragjedia e ndodhur me ekipin e Shapekoenses në vitin 2016.
Ekipi brazilian po fluturonte drejt Kolumbisë për të luajtur finalen e Kupës Sudamerikana, por avioni u përplas dhe 71 persona humbën jetën.
Për t’u rikthyer te Palmeiras. Kampionët e Brazilit kanë parë vdekjen me sy. Avioni nuk ka mundur të ulet në pistën e Mendozës. Dy herë ka provuar piloti, por pa sukses. I detyruar është ngritur përsëri në qiell për t’u ulur në pistën e Rosarios.
Disa nga anëtarët e klubit janë ndjerë keq dhe kanë marrë mjekimet e nevojshme. Ndeshja nuk dihet ende se ku do të luhet, ndërsa nuk përjashtohet një shtyrje e saj.