Shkumbini në ajër, Bano: Nuk kam asnjë kontakt me drejtuesit

Pushime verore të zgjatura po kalon Shkumbini, që këtë sezon u ngjit në Kategorinë e Parë. Skuadra peqinase nuk e ka gjetur ende mundësinë që të organizohet në prag të sezonit të ri, që nis më 14 shtator. Në pritje ka mbetur edhe trajneri Artan Bano, i cili pret rikonfirmimin që të nisë nga puna, natyrisht me një projekt të ri.

Lushnjari deklaron për SportEkspres.com se 30 qershori po bëhet si një mal i pakalueshëm. Nga ndeshja me Luzi 2008 nuk ka asnjë kontakt me drejtuesit e klubit, kurse me futbollistët shpesh kontakton në telefon. “Është një situatë që për futbollin mbetet e pakuptimtë. Nuk kam asnjë kontakt nga klubi dhe kjo ka një arsye që vret shumë. Duke qenë se Shkumbini është skuadër me administrim nga bashkia, 30 qershori e ka futur në kolaps skuadrën dhe realisht po bëhet si një mal i vështirë dhe i pakalueshëm”.

Ndërsa lidhur me fillimin e përgatitjeve, Bano ngre supet: “Për sa kohë nuk kemi patur kontakte me drejtuesit, edhe data për rifillimin e përgatitjeve nuk mund të jetë e qartë. Kjo vonesë do ketë ndikim për skuadrën e Peqinit, jo vetëm në anën përgatitore, por edhe në përzgjedhjen e elementëve të duhur. Duke patur parasysh edhe ndryshimet e reja në rregullore, gara për Shkumbinin do të jetë shumë e fortë dhe e vështirë”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *