Milan Shkriniar është një nga pikat më të forta të Interit. Mbrojtësi sllovak është gati të nisë sezonin e tretë me ekipin zikaltër dhe po e pret me padurim diçka të tillë.
Ardhja e Antonio Kontes në pankinë ka ndryshuar jo vetëm skemën e lojës, por të gjithë atmosferën tek Interi. 23-vjeçari ka folur për “Sportmediaset”, duke prekur disa tema të ndryshme gjatë prononcimit të tij.
SEZONI I RI – “Jam gati. Kemi shumë dëshirë për të punuar dhe për t’u përmirësuar dhe jemi gati për sezonin e ri. Po punojmë fort dhe kjo është gjëja e duhur, pasi do të luajmë më një sistem të ri loje. Duhet të tregohemi të kujdesshëm kur punojmë me taktikën.”
DËSHIRA – “Një ditë do të më pëlqente të bëhesha kapiten i Interit, por nuk e mendoj tani diçka të tillë. Ka ardhur një trajner i ri dhe duhet të mendojmë si të luajmë, të punojmë mirë dhe si të përmirësohemi.”
INTERI – “E kam thënë gjithmonë që dua të qëndroj këtu. Oferta ishin të shumta, por ja dola të qëndroj dhe jam i lumtur. Tani duhet të mbajmë mendjen vetëm te puna dhe trajneri i ri.”
KONTE – “E dija që ishte një profesionist i vërtetë dhe diçka e tillë u pa që ditën e parë. E dija që ishte i tillë. Po djersijmë shumë këto ditë, por duhet të vazhdojmë të punojmë fort. Mbrojtja me tre? Kemi luajtur edhe gjatë sezonit të kaluar disa ndeshje me këtë skemë. Tani është pak ndryshe, por do të bëjmë gjëra pozitive në fushën e blertë. Na ka kërkuar të punojmë fort dhe të japim gjithçka që ditën e parë të stërvitjes. Duam të luftojmë për fitimin e titullit kampion.”
MAJTAS APO DJATHTAS? – “Në mbrojtjen me katër luaja qendër e majtë. Në skemën me tre mund të luaj edhe djathtas apo në qendër. Luaj ku të vendosë Konte, nuk është aspak problem për mua.”
SPALETI – “Kishim krijuar një raport të bukur, por ky është futbolli. Gjërat në këtë sport ndryshojnë nga ditë në ditë. U mërzit pak, por tani kemi një trajner tjetër.”