Shkodra: Jemi “kockë e fortë”, ndeshja në Zagreb vendimtare

Mesfushori i Skënderbeut deklaron se skuadra e tij nuk do të shkojë për “shëtitje” në Zagreb, por për të treguar se kush është realisht ky Skënderbe

Leonard Trebicka

Nuk ka zënë ende vend në formacion, por gjithsesi Donjet Shkodra është një afrim me shumë vlera për Skënderbeun. Për aq minuta sa ka luajtur deri tani në Europë, e ka justifikuar besimin e trajnerit. Sigurisht, një lojtar do kohën e vet të përshtatet dhe Donjeti po e bën këtë nga ndeshja në ndeshje dhe shumë shpejt në mesfushë ai do të ketë vendin e vet. Vetë lojtari shprehet për gazetën se ndihet shumë mirë te Skënderbeu dhe po përpiqet të arrijë në 100% të formës së tij sa më shpejt të jetë e mundur. Sa herë që trajneri Daja i ka kërkuar të jetë në fushë, Donjeti ka qenë gati dhe ka dhënë maksimumin. Mesfushori ka folur dje për kundërshtarin e radhës, Dinamon e Zagrebit, duke thënë se ky Skënderbe është gati që edhe këtë herë t’ia dalë për të kaluar në grupet e Europa League.

MINUTAT – Donjeti ka luajtur në total 73 minuta në gjashtë ndeshjet e Europa League. Për Shkodrën ky është vetëm fillimi, pasi nga ndeshja në ndeshje po rritet dhe konkurrenca te Skënderbe nuk e tremb aspak: “Po, është e vërtetë që kam luajtur nga pak minuta në ndeshjet europiane, madje dua të them se në ndeshjet e para që u aktivizova, e kisha pak të vështirë, pasi duhet të përshtatesha. Ngarkesa psikologjike ishte e lartë, por them se e kalova dhe tani jam ndryshe në fushë. Nuk më tremb aspak konkurrenca te Skënderbeu, madje dua të them se kjo po më bën edhe më mirë. Nëse do t’i trembesha, kishte plot skuadra që mund të zgjidhja dhe të luaja direkt titullar e nuk do të vija këtu ku jam. Me Skënderbeun ndjehem shumë mirë dhe po tregojmë forcën e vërtetë të këtij ekipi. Tani po që e them me bindje se ky Skënderbe është një ekip i madh dhe po e tregon veten edhe në Europë. Sa për formacionin, atë e di trajneri dhe mua më del për detyrë vetëm të punoj sa më shumë. Shpejt do të jem edhe unë titullar, por e rëndësishme në këtë moment është që Skënderbeu të shkojë sa më larg. Të gjithë kemi vetëm një detyrë, të japim më të mirën në fushë.”

DINAMO ZAGREB – I pyetur për kundërshtarin dhe sa të vështirë do ta ketë Skënderbeu, Donjet Shkodra thotë: “Sigurisht që është e vështirë, pasi kundërshtarit dihet se kush është. Por nuk do të shkojmë për “shëtitje” në Kroaci. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në takimin e parë, pasi ata luajnë në shtëpinë e tyre. Pavarësisht se nëse do të jem apo jo në fushë, mendoj që të gjithë do të japin “shpirtin” dhe do të tregojnë se kush është Skënderbeu. Jemi realisht një “kockë e fortë” për Dinamon e Zagrebit dhe them se do të mbështesim të gjithë njëri-tjetrin. Nëse trajneri do të më besojë, do të jap më shumë se 100%. Një tjetër gjë që dua të theksoj është se duhet të kemi shumë kujdes të paktën të mos gabojmë vetë dhe t’i japim mundësi kundërshtarit. Nëse e bëjmë këtë gjë, ata do të kenë shanse më të mëdha. Gjithsesi, për këtë po përgatitemi dhe kemi edhe një javë kohë. Mendoj se do t’ia dalim”.

KUALIFIKIMI – Për sa i përket kualifikimit dhe se sa shanse ka Skënderbeu për të shkuar në grupet e Europa League, Donjeti së fundi deklaron: “Janë dy ndeshje për t’u luajtur dhe nuk mund të themi qysh tani se sa shanse kemi ne që të kalojmë më tej. Gjithçka do të varet nga ndeshja e parë, por ne marrim një rezultat sa më pozitiv në Zagreb, ju garantoj që shanset në ndeshjen e kthimit në “Elbasan Arena” do të jenë të mëdha. Një rezultat i mirë do të thotë edhe tjetrën që në Elbasan stadiumi do të jetë plot e përplot, prandaj ne do të përpiqemi maksimalisht që më 17 gusht të japim më të mirën në fushën e lojës. Unë e theksova edhe më sipër që besoj shumë që do t’ia dalim, por që janë 180 minuta për t’u luajtur dhe kujdesi duhet të jetë po kaq i madh”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online