Kukësi dhe Teuta do të luftojnë nesër për një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Takimi i parë i zhvilluar në “Niko Dovana” të Durrësit u mbyll në barazim 2-2, por djemtë e Bledi Shkëmbit do të bëjnë të pamundurën për t’u kualifikuar.
Trajneri i Teutës e pranon se rezultati favorizon ekipin e Ndreut, por fakti që ndeshja do të zhvillohet në “Elbasan Arena” (të mërkurën, ora 17:00) mund të ndikojë për mirë. Shkëmbi komenton dhe ecurinë e ekipit bregdetar, që renditet në vendin e tretë me 43 pikë.
NDESHJA E KTHIMIT – “Vijmë pas një barazimi 2–2. Ky rezultat patjetër që favorizon skuadrën kundërshtare, por ne do të mundohemi të luajmë në mënyrën tonë për të fituar ndeshjen. Shpresoj që të kemi dhe pak fat, pasi në ndeshjet e Kupës të duhen dhe pak fat.”
STADIUMI – “Duke parë që ndeshja luhet në stadium asnjanës mendoj se shanset për kualifikim mbeten 50 me 50”.
ECURIA – “Të them të vërtetën të gjithë nuk jemi të kënaqur. Prisnim të bënim pak më shumë. Në futboll nuk ka rëndësi që të mendosh për atë që ka ndodhur. Shpresojmë të rikthehemi si në dy fazat e para. Kjo ndodh duke luajtur një futboll akoma më të mirë. Personalisht nuk kemi pasur vetëm probleme te sulmuesit kryesor, por edhe probleme në tërësi në të dyja fazat e ekipit, si në atë mbrojtëse dhe në sulm.”