Shkëmbi: Motivim ekstra për futbollistët, tifozët na kanë munguar

Teuta e Bledi Shkëmbit po bën mjaft mirë, teksa në 8 ndeshjet e fundit nuk njeh humbje, duke regjistruar 6 fitore gjatë kësaj periudhe. Një ecuri fantastike, që i ka bërë në Durrës të ëndërrojnë pse jo titullin. Gjithsesi, për të hedhur kandidaturën për vendin e parë, “djemtë e detit’ duhet të tregojnë se sa vlejnë ndaj Partizanit, që kryeson prej javësh Superioren.

Tekniku korçar ka komentuar për “Supersport” pritshmëritë që ka për takimin e së shtunës me ”demat” e kryeqytetit. Numri një i stolit të Teutës veçoi se në ndeshje të tilla skuadra është e motivuar vetë, por ai pret edhe mbështetjen e tifozëve.

NDESHJET E MËDHA – “Ndeshje e vështirë, si çdo takim në kampionat. Sfidat kundër Partizanit apo Skënderbeut, japin një motivim ekstra për futbollistët, ndaj shpresoj të bëjmë më të mirën dhe të marrim maksimumin”.

REZULTATI – “Ne do të bëjmë lojën tonë dhe do të synojmë të marri fitoren, por pas ndeshjes do të bëjmë analizën, duke u bazuar te loja, por edhe rezultati”.

MUNGESAT – “Në një ndeshje të rëndësishme do të donim t’i kishim të gjithë lojtarët, por kam shumë besim edhe te lojtarët e tjerë, që po stërviten mirë. Shpresoj që ata që do të luajnë, të bëjnë më të mirën”.

TIFOZËT – “Është e vërtetë që tifozëria na ka munguar. Shpresojmë që kjo të jetë ndeshja e duhur, që ata të rikthehen në stadium dhe të jenë një armë më shumë për motivimin e skuadrës”.

Për këtë takim do të mungojnë Progni e Beqja për shkak kartonësh, por dhe Bicaj, i cili ka pasur probleme fizike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *