Teuta e nis sezonin e ri në shtëpi, aty ku nesër do të presë Flamurtarin e Vlorës. Kjo do të jetë ndeshja e parë si trajner i ekipit durrsak, por edhe ndeshja e parë si trajner në Superligë për Bledi Shkëmbin. Mbas një karrierë të pasur mbushur me trofe, korçari është gati për të nisur një sezon, ku ai dhe Teuta do të konkurrojnë për një vend në Kupat e Europës.
“Faza përgatitore shkoi mirë dhe e rëndësishme ishte që nuk kishim dëmtime. Tani vjen ora e së vërtetës dhe ne jemi gati. Kjo është Teuta që kam menduar dhe klubi ka merita, sepse ka afruar lojtarët që kisha kërkuar. Ndeshja e parë do të jetë e vështirë, duke qenë se jemi ende një ekip i ri, por besoj se do e kalojmë këtë ndeshje me eksperiencë. Kam marrë informacion për Flamurtarin, por ne do të zhvillojmë ndeshjen tonë dhe me pak fat mund t’ia dalim me sukses.”
Klubi ka operuar mirë në merkato, duke afruar futbollistë të talentuar dhe me eksperiencë. Shkëmbi zbulon objektivin e klubit dhe tregon se si duhet menaxhuar presioni tek djemtë e ekipit
“Ka presion për të gjithë dhe kjo është normale. Ne duhet të mësohemi me këtë fakt, por e rëndësishme është që të mos mbingarkohemi. E mira është ta nisim kampionatin me fitore dhe do provojmë diçka të tillë. Shpresoj që fati të jetë me ne. Objektivi? Në fillim objektivi ishte ndërtimi i një skuadre të mirë, me idenë që të rikthejmë Teutën e vendeve të para, ashtu siç ky ekip ka qenë në periudhën kur unë kam luajtur.”
Në fund dy fjalë dhe për kandidatët për titull. Skënderbeu është dobësuar disi, por Shkëmbi i sheh akoma si më të fortët.
“Janë disa skuadra pretendente, por unë shoh Skënderbeun si rivalin kryesor, pavarësisht se sivjet kanë bërë hapa prapa. E treguan në Superkupë diçka të tillë dhe e bukura e këtij kampionati është që Skënderbeu nuk është më ai ekipi i frikshëm. Ekipet e tjera duhet t’i shoh në fushë”, përfundon trajneri i Teutës.