Klubi i Interit mori vendimin që t’i hiqte shiritin e kapitenit Mauro Ikardit një ditë më parë. Çështja mori përmasa akoma më të mëdha, teksa argjentinasi vendosi të mos i bashkohej ekipit për transfertën ndaj Rapidit të Vienës në Europa League.
Lidhur me këtë çështje ka folur së fundmi, drejtori i ekipit zikaltër, Pier Auzilio. Ky i fundit ka shpjeguar vendimin e klubit, si dhe ka deklaruar se heqja e shiritit nuk ka të bëjë me negociatat e rinovimit të kontratës së 25-vjeçarit.
“Mund të them vetëm që në seancën e fundit stërvitore ai ishte në listë, ndërsa më pas mori vendimin që të mos ishte pjesë e ekipit. Nuk është se u shkaktua nga ndonjë gjë në veçanti. Gjithçka ndodhi shpejt dhe na duhej të fluturonim drejt Vienës për sfidën.
Problemi qëndronte te roli i tij si kapiten, sjellja e tij dhe qëndrimi që kishte me lojtarët përreth tij. Vendimi për heqjen e shiritit nuk kishte të bënte me bisedimet për rinovimin e kontratës dhe nuk do të lejojmë që kjo çështje të kthehet në problem. Negociatat për rinovimin dhe ajo se çfarë jep Ikardi në fushë janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.”