Andrij Shevçenko është një nga simbolet dhe legjendat e Milanit. Ukrainasi fitoi gjithçka me kuqezinjtë, ndërsa në vitin 2005 u shpall dhe fituesi i “Topit të Artë”. Sheva ishte një futbollist i mrekullueshëm dhe një goleador i frikshëm.
42-vjeçari ka nisur karrierën e trajnerit dhe po bën shumë mirë në stolin e Ukrainës së tij. Si ndihmës ka Mauro Tasotin, ndërsa Ligën e Kombeve e mbyllën në vendin e parë në grup.
Sheva ka folur gjatë për “Gazzetta dello Sport”, duke komentuar për Ukrainën, Milanin, dyshen Leonardo-Maldini dhe trajnerin Xhenaro Gatuzo. Me të tre ka luajtur dhe fituar me bluzën e Milanit, ekip me të cilin mbetet akoma shumë i lidhur.
Ish-sulmuesi komenton dhe shanset e “Djallit” në finalen e Superkupës kundër Juventusit, që zhvillohet me datë 16 janar. Në fund një koment për Higuain, deklaratat e Boban dhe të ardhmen e Kaka.
2018 – “Viti që lamë pas ishte shumë pozitiv, skuadra ime po luan më mirë. Puna ime e Tasotit dhe gjithë stafit teknik po fillon të japë frytet e veta. Ukraina është më e organizuar dhe nuk luajmë vetëm me kundërsulme. Kemi vëzhguar shumë lojtarë të rinj, ata po rriten dhe në ndeshjen e fundit të vitit thirrëm 9 lojtarë nga ekipi U21. Jam shumë i kënaqur.”
UKRAINA – “Populli im jeton në një situatë të vështirë prej 6 vitesh, por shpresa për një të ardhme më të mirë nuk është venitur kurrë. Tani kemi zgjedhjet parlamentare dhe të presidentit, kështu që të shohim se çfarë do të ndodhë. Njerëzit ndonjëherë duhet të heqin dorë nga problemet e përditshme. Ata mund të ndjekin ndonjë ndeshje futbolli, paraqitjet pozitive në Europë të klubeve tona dhe suksesi i kombëtares u jep atyre pak argëtim e qetësi.”
MILANI – “Objektivi është për t’u rikthyer në Champions dhe ekipi po lufton për një gjë të tillë. Janë afër me pikë me vendin e katërt dhe unë shpresoj që të rikthehen në kupën më të bukur, sepse aty është vendi i Milanit. Kuqezinjtë janë sot një projekt, që duhet të ndërtohet me qetësi për t’u rikthyer në majë në fillim në Itali dhe më pas në Europë. Nevojitet kohë, durim dhe një renditje e mirë të ndihmon. Milani është prekur dhe nga shumë dëmtime, kontingjenti i lojtarëve nuk është i madh dhe ndihet mungesa e lojtarëve si: Bonaventura, Bilja dhe Romanjoli.”
HIGUAIN – “Ka shumë presion mbi Gonzalon, i cili ka qenë dhe i pafat. I referohem penalltisë së humbur kundër Juventusit, pasi gola të tillë mund të ndryshojnë gjithçka. Ai kishte shumë përgjegjësi në fillim të sezonit, pasi ishte një blerje e madhe. Në ndeshjen kundër Juves të gjithë sytë ishin drejtuar nga ai. Higuain është një sulmues i madh dhe ai e di mirë që në lojë është dhe e ardhmja e tij. Champions-i i siguron qëndrimin në ekip dhe dallohet dëshira e tij e madhe për të qëndruar. Ai dhe Milani duhet të qëndrojnë të qetë në momentet e vështira, pasi çdo moment kalon.”
SUPERKUPA – “Juventusi është skuadra më e fortë e kampionatit dhe është pothuajse e paimagjinueshme që ndonjë klub tjetër të konkurrojë me të. Të mposhtësh Juven në Serie A është e vështirë, por në një ndeshje të vetme është më e thjeshtë. Milani mund t’ia dalë, nëse përgatit mirë ndeshjen dhe kujdeset për detajet.”
GATUZO – “Konfirmimi i tij ishte shumë i drejtë. Më pëlqen ky qëndrim i klubit, ka njerëz me ide të qarta, që nuk hutohen në momente të vështira. Leonardo dhe Maldini po punojnë me qetësi dhe kompetencë. Ata e njohin realitetin më mirë se të gjithë. Mos të harrojmë dhe bllokimin e merkatos. Nuk është e thjeshtë të kthehesh në maje, nëse merresh vetëm me huazime. Të shohim se si do të përfundojë apeli kundër KAS-it.”
BOBAN – “Zvonimir ka kritikuar FPF (fair-play financiar)? Ai është zëvendëssekretari i FIFA-s dhe bën detyrën e tij. Unë nuk hyj në çështje të tilla, por uroj që Milani të vazhdojë të punojë me qetësi për t’u ringritur, ashtu siç po bën. Qëndrimi i këtyre kohëve më pëlqen, ndërsa mbështetja për Gatuzon është shumë e rëndësishme. Rino po punon mirë, i ka rikthyer identitetin skuadrës, që është një pikë e mirë nisje. Vitet e fundit kanë qenë të vështira, por Milani po gjen rrugën e duhur.”
KAKA – “Kush ka qenë pjesë e Milanit mbetet gjithmonë i lidhur me ngjyrat kuqezi. Riki është një person inteligjent dhe si i tillë mund të jetë i dobishëm, por nuk e di se çfarë rruge do të zgjedhë. Mos të harrojmë që ka vetëm një vit që është tërhequr nga futbolli.”