E gjithë skuadra e Dinamos që mbylli sezonin e kaluar në Kategorinë e Parë, në këtë periudhë janë me pushime. Gjithsesi lajmet e merkatos nuk e kanë shmangur edhe këtë skuadër, që së pari do duhet ta nisë me rinovimet e titullarëve, si Arjan Sheta, Ervis Kaja, Jetmir Sefa, Ilir Allmuça, Erxhan Muça, Marlind Nuriu dhe Rei Nuriu.
Kapiteni 38-vjeçar, Arian Sheta, deklaron se ai është i pari që do të kontaktojë me drejtuesit e skuadrës. Për SportEkspres.com, qendërmbrojtësi pranoi se nuk ka rinovuar ende me dinamovitët. “Skuadra është e gjitha me pushime dhe rinovimet besoj se do vijnë shumë shpejt, pse jo këtë muaj. Unë jam kapiteni i skuadrës e do jem i pari që do bisedoj me drejtuesit e sponsorët për startin e sezonit të ri”, u shpreh Sheta.
Për emrat që Dinamo do të kërkojë në merkato, Sheta deklaron se do jenë shumë cilësore: “Dinamo këtë sezon do synojë ngjitjen në Kategorinë Superiore dhe futbollistët që do të merren gjatë kësaj merkatoje do jenë cilësorë. Dinamo këtë e tregoi edhe në sezonin e kaluar, ndërsa për këtë sezon që do të nisim, do jetë më e fortë dhe më e bindur te objektivi për Superioren”.
AGRON KAJA