Ndodh shpesh që futbollistët të grinden për një penallti apo për një faull, mjafton të kujtojmë dy sherrxhinjtë Kavani e Nejmar te PSG. Ka raste kur gjithçka kalohet lehtë sepse fitorja ishte siguruar, por ka edhe raste kur sherri në fushë plas në momente mjaft delikate dhe për më tepër lojtari që krijon rrëmujë më pas gabon dhe nuk realizon penalltinë vendimtare.
Kjo ndodhi dje në Fulham-Hadërsfild, në Premier Ligën angleze. Takim shumë delikat, me dy skuadra që po luftojnë për mbijetesë, ndaj fitorja vlente dyfish.
Në minutën e 82-të Fulhami fitoi një 11-metërsh dhe aty nisi kaosi. Sulmuesi Aboubakar Kamara doli kundër urdhrit të trajnerit Klaudio Ranieri, duke rrëmbyer topin për ta gjuajtur vetë.
Serbi Aleksandar Mitroviç, i caktuar si goditës i penalltive, kërkonte topin, lojtarët e tjerë i kërkonin ndihmë Ranierit dhe italiani bërtiste më kot nga pankina, sepse Kamara nuk lëshonte pe, me futbollistët kundërshtarë që shihnin të habitur spektaklin e shëmtuar.
Selfish by Kamara – entire ground (including several teammates!) imploring him to let Mitrovic take the penalty #FulvHud #cravencottage pic.twitter.com/7uw0RaC5Qm
— Jeff Hughes (@SamoJeff) December 29, 2018
Kamara e gjuajti penalltinë dhe e humbi, ia priti portieri kundërshtar. Pak minuta më vonë pikërisht Mitroviç shënoi golin e fitores 1-0 për Fulhamin dhe nisi festa, por pas ndeshjes Ranieri ishte tym.
“E pabesueshme, nuk më ka ndodhur kurrë në karrierë kjo gjë. Kamara nuk respektoi shokët e ekipit, mua, klubin dhe tifozët. Desha ta vrisja në ato momente. Fola me të, nuk kuptonte, nuk pranonte t’ia jepte topin Mitroviçit dhe as kërkoi falje”, tha Ranieri pas ndeshjes. Më siguri Kamara nuk do e shohë më fushën tani e tutje.