Futboll moshash, kampionati U17, ku në teori të rinjtë luajnë për qejf dhe për të mësuar futbollin. Në praktikë? Një ushtrim i mirë boksi, me trajnerë gangsterë dhe prindër e tifozë që futen në fushë për të larë hesapet.
Ndodh shpesh në Shqipëri, për herë të fundit ndodhi të dielën në Berat, ku ndeshja mes Tomorit u17 e Apolonisë U17 u kthye në arenë gladiatorësh, ku një grusht vlente më shumë se një gol dhe një shkelm nderohej me medalje nderi.
Protagonist absolut trajneri beratas Santiliano Dule, i cili gjatë gjithë ndeshjes protestonte ashpër dhe gjyqtari e largoi me karton të kuq.
Në fundin e takimit situata u rëndua dhe njerëz të ndryshëm u futën në fushë, ndërsa pati edhe sherr masiv mes futbollistëve, aq sa u desh ndërhyrja e policisë, që për fat ishte e pranishme jashtë stadiumit.
Tashmë mbetet për t’u parë sa vlerë ka sistemi i kamerave në stadium, ndërkohë që trajneri Dule po procedohet në gjendje të lirë nga policia. Dule ka qenë disa orë në polici të dielën, ndërsa mësohet se klubi Tomori e ka shkarkuar në mënyrë të menjëhershme.
Edi Spahiu