Përfaqësuesja U21 e Italisë fitoi dje miqësoren përballë Tunizisë me rezultatin 2-0. Parixhini kaloi djemtë e Di Biaxhos në avantazh në minutën e 33-të, ndërsa gjashtë minuta më vonë, Moize Kin dyfishoi rezultatin nëpërmjet një penalltie.
Një gol historik për sulmuesin e talentuar të Juventusit. 18-vjeçari bëhet i pari futbollist i lindur në shekullin e ri, i cili shënon me përfaqësuesen U21 të Italisë.
Një tjetër rekord i thyer nga Kin, i cili në vitin 2016 u bë i pari lojtar i shekullit të ri që debutoi në Serie A dhe në Champions, në moshën 16-vjeçare, ndërsa në maj të vitit 2017, Kin shënoi përballë Bolonjës, duke u bërë lojtari i parë i këtij shekulli, që shënon gol në një nga pesë kampionatet më të forta të Europës.
Synimi i radhës i sulmuesit bardhezi është aktivizimi me Juventus. Ai është në kërkim të minutave me ekipin e Alegrit, por konkurrenca është shumë e madhe.