Orges Shehi, trajneri i Skënderbeut, nuk ka se si të mos jetë i kënaqur pas fitores 0-3 që korçarët morën me Kukësin. Durrsaku, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport deklaroi: “Na vjen mirë për fitoren, që vjen pas shumë muajsh në transfertë. Nuk kishim çfarë humbnim. Sot finalizuam, kemi bërë disa ndeshje të mirë. Nuk shënuam dot më parë. E nisëm mirë dhe goli na dha qetësi të administronim lojën”.
DËMTIMET E SHUMTA – “U dëmtuan Krasniqi e Muzaka, ashtu edhe Bregu. Kishim edhe të tjera mungesa. Futbolli i tillë është, edhe dëmtohesh. Të shohim çfarë do të bëjmë. Kemi edhe një ndeshje, ndaj Luftëtarit luajmë gjithçka”.
LULAJ DHE PËLLUMBI – “Jam i kënaqur për paraqitjen që bëmë. Pëllumbi e kemi reklamuar që pas largimit të Alitit. Ai do më ketë çekan në kokë, është i ri. Zakonisht fluturojnë të rinjtë. Është e ardhmja e klubit dhe më vjen mirë. Lulaj kishte muaj jashtë, e justifikoi veten. E tregoi që edhe ai është pjesë e Skënderbeut”.
NDRYSHIMI I SKËNDERBEUT – “Ka ndryshuar finalizimi. Nuk fitohet pa shënuar. Kemi pasur raste. Me Teutën ishim gjithë kohën te porta kundërshtare. Me Kukësin në Kupa na ndikuan dëmtimet, Vangjeli dhe Muzaka nuk ishin. Duke qenë grup i ri, në një ndeshje kupe eksperienca na dëmtoi. Pësuam golin e parë dhe më pas të dytin, që na goditi. Kjo ndeshje është vazhdimësi e ndeshjeve të mira. Edhe në Laç që humbëm bëmë një ndeshje të mirë. Goli i epërsisë na dha qetësi dhe u shfaqëm më mirë në lojë”.