Skënderbeu e mbylli vitin jo në mënyrën e duhur, çka ka bërë që edhe vendi i parë të jetë shtatë pikë larg. Gjithsesi në kampin korçar tregojnë se kanë shumë uri për të fituar. Është mesfushori Bruno Dita ai që shprehet kështu në Supersport: “Kemi të njëjtin uri për të fituar. Ishte çështje fati që humbëm ndeshjet e fundit”.
I pyetur nëse në rezultatet e korçarëve ka ndikuar fakti që te Skënderbeu presin vendimin e CAS, mesfushori shprehet: “Nuk e kemi menduar çështjen e CAS. Ishte një moment vjet, dy javë që e kishim mendjen. Klubi u mundua të na e largonte vëmendjen nga vendimi”.
Dita e thotë hapur, Skënderbeu ka nevojë për merkato: “Normalisht do na shërbejë kjo periudhë për të kapur gjendjen fizike. Shpresoj që klubi të bëjë blerje, pasi realisht kemi nevojë për përforcime në çdo pozicion. Skënderbeu është mësuar të jetë në krye dhe mendoj se 7 pikë nga Partizani nuk janë asgjë. Ka edhe dy faza për t’u luajtur.
Nga titulli nuk heq dorë as trajneri Orges Shehi, i cili në një lidhje direkte me emisionin “Pressing” në ABC News u shpreh mes të tjerash: “Ne llogarisim veten, nuk është se presim të na llogarisin të tjerët për titullin. Jemi në një pozicion, ku mund të bënim më mirë. Javët e fundit rrëshqitëm pak, por kurrsesi nuk do të heqim dorë për të shkuar aty ku na takon”.