Skënderbeu pret Teutën dhe do kërkojë rikthimin te fitorja. Bardhekuqtë barazuan një javë më parë me Tiranën dhe trajneri Orges Shehi pret që skuadra e tij të paraqitet ndryshe. “Është një ndeshje e rëndësishme, skuadrat janë të ngjeshura në renditje. Vijmë pas një ndeshje jo të mirë për atë që duhet të jepnim. Na del për detyrë të bëjmë atë që dimë më mirë”, u shpreh Shehi në konferencën e sotme për shtyp.
Më tej ai foli edhe për rastet e humbura të skuadrës së tij dhe trajneri i Skënderbeut nuk vë para përgjegjësisë sulmuesit. “E rëndësishme është skuadra të dalë para portës. Edhe golat do të vijnë. Shpresoj që të gjithë lojtarët të finalizojnë. Nuk kanë pasur raste vetëm sulmuesit, nuk dua t’i ndaj lojtarët”, shtoi durrsaku i pankinës bardhëkuqe.
Sa i takon objektivave, Shehi shtoi: “Vazhdoj të besoj se kjo skuadër do të luftojë deri në fund. Jemi ndërtuar me një grup të rinjsh dhe me lojtarë me eksperiencë. Kemi pasur dy objektiva: të luajmë për kreun e klasifikimit, si dhe të promovojmë lojtarët e rinj. Besoj se kjo skuadër do të luftojë deri në fund”.
JASHANICA – Shtypi ndërkombëtar ka sjellë në pamje të parë dënimin e Bajram Jashanicës për dy vite, ndërkohë që për Sergio Ramos UEFA nuk ka marrë asnjë vendim. I pyetur për këtë, Shehi iu shmang rastit të spanjollit dhe foli vetëm për qendërmbrojtësin e Skënderbeut. “Më vjen keq që është viktime e një pakujdesie. Shpresoj tek Apeli, që t’i ulet dënimi Jashanicës. Të vjen keq, që prej një pakujdesie të dënohet dy vite”.