Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi ka folur për “Supersport” sot, ku ka përmendur shumë gjëra. Dhunën e treguar në Kamzë, të ardhmen e tij si trajner dhe gjendjen aktuale të skuadrës: Shehi i preku të gjitha. Në fjalën e tij, nurmi një i pankinës së “Ujqërve” tha:
INCIDENTI – “Me këtë që ndodhi, komentet janë të kota, ne kemi qenë në stërvitje edhe pas stërvitjes e kemi parë situatën nga rrjetet sociale. Është një ngjarje që na çon jo 10 vite, por 30 vite pas, jo se në atë kohë ka patur dhunë, por na çon shumë mbrapa. Këto skena s’duhet të jenë në televizione, sepse kanë një impakt shumë negativ, sepse na shohin fëmijët tanë, na shohin familjarët. Shpresoj të jetë hera e fundit, por nuk jemi ende në kushtet që policia të mos jetë në stadium, pasi thjesht prania e policisë i jep siguri arbitrit, u jep siguri kundërshtarëve, por pengon edhe tifozët që të hyjnë aq lirshëm në fushë”.
SKUADRA – “Skuadra është shumë e re, është e të ardhmes, kemi një projekt për të mos ndërruar shumë lojtarë, për të pasur një skuadër me bosht dhe do të mundohemi të marrim maksimumin, sepse kemi objektiva, pavarësisht ecurisë negative të javëve të fundit. Jemi shkëputur disi nga vendi i parë, por kemi objektiv tre vendet e para dhe Kupën ku do të luftojmë fort. Pastaj në qershor do të bëjmë ndryshime dhe do të jetë një situatë tjetër, por kemi gjithë durimin për të pritur pasi një projekt do edhe kohën e vetë, por kërkon edhe elemente cilësor”.
E ARDHMJA SI TRAJNER – “Pas ndeshjes me Gjirokastrën, pas 3 humbjeve e kam përjetuar keq. Në karakterin tim nuk e njoh fjalën dorëzim, por mendova se mos skuadrës i duhej një fytyre e re për të motivuar ekipin, t’i jepte një shtysë tjetër. Por ka qenë një jo kategorike e drejtuesve të klubit duke më dhënë besim, me arsyen se nuk ka asnjë tjetër që të mund të motivojë më shumë skuadrën”.