Skënderbeu e mbyll zyrtarisht këtë sezon pa trofe. Trajneri i skuadrës korçare, Orges Shehi, foli për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport” në përfundim të ndeshjes ndaj Kukësit, ku preku temën e dëmtimeve dhe lojës së skuadrës.
NDESHJA – “Ekuilibrat na u prishën që mbrëmë. U gjetëm të papërgatitur nga sëmundja e Vangjelit. Menduam Muzakën mbrojtës të djathtë, por dhe ai u dëmtua para ndeshjes. Që në minutat e para, u dëmtua dhe Oto Xhon. Pësuam golin e parë dhe u munduam të reagonin, por pas golit të dytë, çunat u goditën shumë dhe besoj se aty mbaroi çdo gjë”.
GOLI I BREGUT – “Në dhomat e zhveshjes i pashë të gjithë me kokën poshtë. Iu thashë që do të shënonim dhe kur shënuam, kisha realisht shpresa, por pësuam sërish dhe aty u goditëm për herë të fundit”.
GOLAT E PËSUAR – “Është e vërtetë, pësojmë gola nga mos eksperienca. Kemi një portier 21-vjeç, qendërmbrojtës 18-vjeç. Dita ishte i improvizuar. Golat i marrim nga mungesa e eksperiencës. Na vjen keq sepse prodhojmë shumë, na vjen keq për djersën e lojtarëve, por sigurisht që në momente të caktuara, diferencën e bëjnë kualitetet”.
RASTET – “Gjënë më të thjeshtë, lojtarët e bëjnë të vështirë dhe nga ajo ndëshkohemi. Unë jam i rreptë sa i takon punës, por jam i butë kur vjen puna te goditja e lojtarëve. Nuk është në filozofinë time, por ndonjëherë duhet. Gjithsesi, atyre duhet t’iu vijë keq për djersën e vetë”.
EUROPA – “Na presin ndeshje të vështira, që këtë të diel. Puna ime është të ngre moralisht lojtarët, pasi janë të dërrmuar. Lojtarët janë mësuar të fitojnë trofe. Ngarkesa është e madhe, detyra jonë është të punojmë nga ana psikologjike. Po morëm maksimumin, do të arrijmë Europën”, tha Shehi.