Shameti: Nuk është rezultat zhgënjyes, gjyqtari u kursye për kundërshtarin

Ylli Shameti foli pas ndeshjes për mediat, ku analizoi barazimin pe Partizanin. Kapiteni i verilindorëve tregoi se nuk duhet të quhet zhgënjim ky rezultat, duke marrë në konsideratë faktin se luhej jashtë fushe dhe ndaj një rivali direkt.

Gjirokastriti u shpreh se gjyqtari u kursye disi për kundërshtarët, sa i përket ndëshkimit me kartonë të verdhë, por në anën tjetër nuk mund të mos komentonte dhe një takim të tillë, që u luajt në një stadium të zbrazur.

Sa të zhgënjyer jeni që nuk arritët që të dilnit me pikë të plota nga ky takim?
E kishim përgatitur mirë ndeshjen dhe them se bëmë një ndeshje shumë të mirë. Dominuam për 90 minuta, kishim rastet tona, por nuk i kemi shfrytëzuar ashtu siç duhet. Besoj se kjo ndeshje mund të ndahej me një gol. Edhe barazimi është mirë, pasi vjen në transfertë, por dhe në një momenti pozitiv. Ruajmë vazhdimësinë pas atyre tre fitoreve. Ne i luajmë të gjitha ndeshjet jashtë. Kur luan ndaj një rivali direkt edhe një barazim nuk duhet ta mendojmë zhgënjyes. Është e rëndësishme nga ana psikologjike kjo pikë, por nuk vlen absolutisht asgjë, nëse nuk e mbyllim me fitore javën e ardhshme.

Si ishte ky takim pa tifozë?
Ndeshjet pa tifozë janë si ndeshje të vdekura. Ata jo vetëm që ndikojnë në ekipin vendas, por dhe në ekipin kundërshtar, në ritmin e lojës, në agresivitetin sportiv pa diskutim, në impulsin që mund të jepet një moment të caktuar, por them se nuk ka ndikuar shumë as për ne dhe as për Partizanin.

Ju pamë mjaft agresiv sot në fushë…
Janë disa ndeshje që, përveç anës taktike dhe sportive, duan edhe agresivitetin e duhur, por dhe përplasjet fizike t’i ofron terreni. Mendoj se i kemi fituar të gjitha duelet me kundërshtarin. Më e mira do të ishte ta mbyllnim ndeshjen me një tre pikësh.

Mendoni se gjyqtari u kurseu një karton të verdhë?
Mendoj që jo. Besoj se ai i ka kursyer kartonët e verdhë për ekipin kundërshtar. Për disa i kursen, për disa jo, por për mua personalisht, jo. Kam humbur dy ndeshje këtë fazë dhe nuk kam nevojë që të pushoj.

Po Shkodrës?
Nuk e di! Duhet të pyesni gjyqtarin!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *