Shaland: Me Vokrrin u mora vesh për pesë minuta, ja cila është filozofia ime

Trajneri i Kosovës Bernard Shaland ka qenë i ftuar në emisionin “Info Magazine” në “Klan Kosova”, ku ka folur mbi eksperiencën e tij në krye të përfaqësueses së “dardanëve”. Tekniku zviceran ka shpjeguar se ku është përmirësuar skuadra që prej ardhjes së tij, si dhe foli për negociatat me të ndjerin Fadil Vokrri.

FILOZOFIA E LOJËS – “Qëllimi im fillestar ishte të luajmë futboll të mirë, pa i pritur rezultatet. Ishim të mendimit se nëse luajmë mirë, kemi shanse për të pasur rezultate. Pas shtatë apo tetë muajsh në takimin e parë që patëm në kampin në Paris, biseduam se si mund të përparojmë. E vendosëm filozofinë e lojës – të luajmë mirë në mbrojtje, të mos pësojmë më 24 gola si në fazën kualifikuese të Botërorit në Rusi. Ideja ka qenë që të krijojmë një ekip për sulm dhe për mbrojtje. Jam i befasuar që kemi pasur këtë sukses shumë herët. Kjo do të thotë që lojtarët kanë bërë një punë shumë të mirë dhe kanë dëshiruar të përparojnë. Për mua ky është çelësi i këtij suksesi”.

MENTALITETI I LOJTARËVE – “Kam punuar në Zvicër me disa lojtarë nga Kosova dhe kam qenë trajner me lojtarë të rinj si Valon Behrami. E di mentalitetin e tyre pasi futbolli është pasion për shumë njerëz të Kosovës. Për mua kjo ishte një arsye për të ardhur këtu, sepse mendoja që në Kosovë kemi lojtarë të mirë dhe  federata do të përparojë. Është mirë të punojmë për futbollit”.

GJUHA SHQIPE – “Me lojtarët e Ekipit Kombëtar të Kosovës mund të flas vetëm: “Po”, “Jo”, “Mirëdita”, pasi gjuha shqipe nuk është një gjuhë e lehtë”.Komunikimi nuk është problem, pasi kemi lojtarë që flasin frëngjisht, gjermanisht dhe anglishtja ime mjafton të shpjegoj se çfarë dua në gjuhën angleze. Lojtarët më kuptojnë në mënyrë perfekte. Gjithsesi, Duhet t’i mësoj këngët shqipe, Festa ka qenë e madhe pas ndeshjes (qesh)”.

NEGOCIATAT E KONTRATËS ME FADIL VOKRRIN – “Isha i përgatitur për intervistën me të, ndoshta kam qenë i pari, i dyti apo i treti, mirëpo ne biseduam për futbollin. Unë i njihja të gjithë lojtarët dhe ai e pa se unë isha i gatshëm për punë, e njoh situatën dhe gjendjen e ekipit të Kosovës. Ai më pas më tha: ‘Në rregull. Për 5 minuta u morëm vesh për kontratën”.

VDEKJA E PAPRITUR – “Ishte shumë emocionuese, sepse para një kohe jo shumë të largët ne ishim miq, pinim verë në mbrëmje, bisedonim për futbollin, ishim të gatshëm që të punonim së bashku Nuk ishte aspak e lehtë, mirëpo tani duhet të vazhdojmë tutje”.

MAQEDONIA DHE EUROPIANI – “Maqedonia është ekip i mirë, por gjithashtu edhe ne e kemi mundësinë për të përparuar. Kemi kohë për t’u bërë gati, 1 vit apo 1 vit e gjysmë. Për ne, fokusi tani është që të punojmë për të përparuar dhe të jemi të gatshëm për këtë lojë” Nuk është mision i pamundur që Kosova të jetë pjesë e Kampionatit Europian, është e mundshme. Nëse Kosova pas 2-3 vitesh mund të marrë pjesë menjëherë në Kampionatin Europian, do të jetë mrekulli për këtë shtet”.

NDËRRIMI I UJKANIT ME MURIÇIN – “Trajneri duhet që të marrë vendime. Vendosa ashtu. Kemi biseduar para lojës me Ujkanin dhe ai është pajtuar. Ai ka respekt dhe e mbështet ekipin. E falënderojë nga këtu pasi që e ka mbështetur Muriçin e ri duke reaguar si kapiten. Muriç ka luajtur shumë mirë ndaj Azerbajxhanit”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *