Një gol i bukur me kokë kundër Mançester Sitit ishte ai që e bëri të famshëm këtë muaj, por Meritan Shabani ka kohë që shkëlqen tek të rinjtë e Bajernit dhe që sezonin e shkuar ishte bërë pjesë e ekipit të parë, duke debutuar në formacion në fitoren kundër Aintrahtit të Frankfurtit në prill të këtij viti.
Tani 19-vjeçari i lindur në Mynih natyrisht ka përpara edhe dilemën e përzgjedhjes së kombëtares ku do të luajë, nëse zhvillimi i tij ecën me këtë ritëm.
Mesfushori ofensiv duket se kërkon t’i bëjë gjërat me qetësi, duke pritur momentin e duhur për të venosur.
Menaxheri për median dhe licencimin në Federatën e Kosovës, Bajram Shala, ka folur për Gazetën Express, duke shpjeguar ç’po ndodh: “Po, ka shumë kohë që jemi në kontakt me familjarët e Meritanit. Ata kërkojnë që të mos nguten dhe fillimisht duan ta shohin sesi po zhvillohet Meritani e më pas të marrin një vendim. Ne ua kemi bërë të qartë që jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që është e mundshme që Meritani të luajë për Kosovën”.